LSDM akuzon Mickoskin për rastin “Alta Banka”: Alarmi për grupacionin ishte ngritur që para një viti
Opozita socialdemokrate publikon kronologjinë e zhvillimeve rreth zgjerimit të grupacionit financiar “Alta” në Maqedoninë e Veriut dhe rajon. Sipas SDSM-së, paralajmërimet për aktivitetet e grupacionit nuk janë përhapje paniku, por çështje që kërkojnë sqarime institucionale.
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili e ka akuzuar opozitën për përhapje të panikut lidhur me rastin “Alta Banka”.
Nga SDSM pyesin nëse përhapje paniku përbëjnë edhe paralajmërimet për mënyrën e funksionimit të grupacionit financiar “Alta” në disa vende evropiane, si dhe në Mal të Zi dhe Serbi. Partia pretendon se rreziqet e mundshme që lidhen me hyrjen e këtij grupacioni në tregun maqedonas i kishte ngritur në debat publik që para një viti.
Në komunikatën e saj, opozita ka paraqitur një kronologji të zhvillimeve, duke rikujtuar përpjekjet e grupacionit “Alta”, të drejtuar nga Davor Macura, gjatë viteve 2023 dhe 2024 për marrjen nën kontroll të “Addiko Bank” në disa shtete.
Sipas pretendimeve të SDSM-së, në gusht të vitit 2024, Banka Qendrore Evropiane kishte pezulluar përkohësisht të drejtën e votës së Macurës, për shkak të dyshimeve për veprim të përbashkët të padeklaruar. Një muaj më vonë, në shtator, edhe rregullatori austriak kishte shqiptuar një sanksion.
SDSM i referohet gjithashtu raportimeve të gazetës britanike “Financial Times”, të cilat, sipas partisë, kishin ngritur çështje lidhur me verifikimin e origjinës së kapitalit dhe kontrollet kundër pastrimit të parave.
Një tjetër zhvillim që përmendet nga opozita është vendimi i Bankës Qendrore të Malit të Zi, në tetor të vitit 2025, për të refuzuar marrjen nën kontroll të “Addiko Bank”. Sipas LSDM-së, guvernatorja e institucionit, Irena Radoviq, kishte konfirmuar se pas marrjes së këtij vendimi kishte pasur presione, shkruan Gazeta Flaka – Maqedoni.
Zgjerimi i “Alta”-s në tregun maqedonas
Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut, “Alta Banka” SHA Beograd ka marrë nën kontroll “Stopanska Banka” – Manastir, me miratimin e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, duke fituar 95 për qind të aksioneve.
Në vitin 2026, grupacioni ka zgjeruar aktivitetin edhe në sektorin e sigurimeve, përmes blerjes së kompanisë “ZOIL Maqedonia”, e cila më pas ka marrë emrin “Alta Osiguruvanje” SHA Shkup.
LSDM ngre gjithashtu çështjen e rolit të Qeverisë së udhëhequr nga Hristijan Mickoski në këtë proces. Sipas partisë, Qeveria u ka dërguar udhëzim ndërmarrjeve publike që të shqyrtojnë mundësinë e blerjes së aksioneve të “Alta Banka”.
Opozita pretendon se përmes këtij veprimi janë mbështetur aktivitetet bankare dhe të sigurimeve të grupacionit në tregun maqedonas.
Përmes këtij reagimi, LSDM kërkon që pretendimet dhe zhvillimet e paraqitura të trajtohen me seriozitet, duke vënë në pikëpyetje deklaratat e kryeministrit për përhapje paniku nga ana e opozitës.
Çështja e zgjerimit të grupacionit “Alta” në Maqedoninë e Veriut dhe vendimet e institucioneve rregullatore mbeten në qendër të debatit politik, veçanërisht sa i përket transparencës dhe rolit të institucioneve shtetërore në këtë proces. Gazeta Flaka










