Dy persona humbin jetën në aksidentin me autobus në Kroaci, disa të tjerë të lënduar
Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa disa të tjerë janë lënduar pasi një autobus me targa të Serbisë është përmbysur mëngjesin e sotëm në autostradën A3 në Kroaci. Lajmi është konfirmuar nga Policia e Zagrebit, ndërsa raportohet nga portali N1.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 07:25, në kilometrin e 61-të të autostradës, menjëherë pas nyjës rrugore Ivanić-Grad, në drejtim të Zagrebit.
Sipas pamjeve të publikuara nga portali GP Maljevac, autobusi ka dalë nga rruga, ka goditur dhe depërtuar përmes barrierës mbrojtëse, përpara se të përmbysej anash jashtë karrexhatës.
Sipas informacioneve të para jozyrtare, në autobus ndodheshin 33 pasagjerë dhe dy shoferë. Të lënduarit po transportohen drejt spitaleve në Zagreb. Deri më tani nuk është bërë i ditur numri i saktë i tyre, as shkalla e lëndimeve.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të shumta të emergjencës, përfshirë ambulanca, helikopterë dhe 15 zjarrfikës me shtatë automjete. Një pjesë e pasagjerëve kanë marrë ndihmën e parë në vendin e aksidentit.
Shkaqet e aksidentit ende nuk dihen. Policia po kryen hetimet dhe ekspertizën në vendin e ngjarjes.
Burimi: N1 – portal në gjuhën kroate. Përgatiti: Flaka Media.











