Detaje të reja nga masakra në Krakov: Nëntë të vdekur, 15 të plagosur – dy karrocierë në gjendje kritike
Detaje të reja kanë dalë në dritë pas sulmit të përgjakshëm në qendër të Krakovit, në Poloni, ku gjashtë persona humbën jetën, ndërsa më vonë në banesën e autorit të dyshuar u gjetën edhe tre trupa të pajetë. Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në nëntë, ndërsa 15 persona janë plagosur, përfshirë dy policë.
Mes të prekurve nga sulmi janë edhe karrocierët që çdo ditë transportojnë turistë në sheshin kryesor të qytetit. Sipas Shoqatës së Karrocierëve në Krakov, dy prej tyre po luftojnë për jetën, ndërsa disa të tjerë kanë marrë lëndime të rënda, transmeton media polake „Onet“.
Kryetarja e shoqatës, Dorota Litvicka, tha se ngjarja ka goditur rëndë komunitetin e karrocierëve. Ajo bëri të ditur se disa kolegë të saj kanë humbur jetën, ndërsa dy ndodhen në gjendje kritike.
“Ky është tragjedia më e madhe për familjen tonë të karrocierëve gjatë gjithë periudhës së punës sonë në sheshin kryesor”, deklaroi Litvicka përmes një postimi në rrjetet sociale.
Gjatë sulmit janë plagosur edhe dy kuaj që tërhiqnin karrocat turistike. Sipas organizatës për mbrojtjen e kafshëve „OTOZ Animals“, njëri prej kuajve është prekur lehtë nga një plumb, ndërsa tjetri ka marrë plagë në këmbë. Të dy kafshët kanë mbijetuar dhe kanë marrë trajtim veterinar. Ende nuk dihet nëse autori i ka qëlluar qëllimisht.
Si masë sigurie, autoritetet e qytetit kanë vendosur të mbyllin deri në një njoftim të ri të gjitha stacionet e karrocave turistike në sheshin kryesor, përfshirë edhe pikat alternative.
Ministri polak i Punëve të Brendshme, Marcin Kierwiński, dha detaje të reja për ndërhyrjen policore, duke theksuar se policët kanë qëlluar drejt sulmuesit vetëm tri minuta pas marrjes së njoftimit të parë.
“Reagimi i shpejtë i policisë parandaloi një masakër edhe më të madhe. Të shtënat e para ndaj sulmuesit u shkrepën tri minuta pas njoftimit. Edhe shërbimet zjarrfikëse dhe ambulanca mbërritën pas tri minutash”, deklaroi ministri.
Ndërkohë, policia e rajonit të Malopolskës bëri të ditur se patrulla e parë kishte nisur ndërhyrjen vetëm 23 sekonda pas marrjes së telefonatës për sulmin.
Dy policë u plagosën gjatë përpjekjes për ta ndaluar autorin. Njëri prej tyre, Jakub Kulik, mori tri plagë nga armë zjarri dhe ndodhet në gjendje shumë kritike. Zjarrfikësit vullnetarë nga Volçini kanë bërë apel publik për dhurim gjaku në mbështetje të tij.
Sipas raportimeve të mediave polake, gjatë tentativës për t’u larguar, sulmuesi u përplas me një automjet tjetër në një kryqëzim. Më pas doli nga vetura dhe hapi zjarr ndaj policëve, të cilët iu kundërpërgjigjën dhe e plagosën.
I dyshuari u neutralizua dhe u dërgua në një spital në Krakov, ku iu nënshtrua një operacioni për shkak të plagëve të rënda dhe rrezikut për jetën.
Policia bëri të ditur se ai kishte përdorur një pushkë gjysmëautomatike të ngjashme me modelin AR-15. Gjithashtu, kishte me vete edhe një pistoletë, ndërsa në automjetin e tij u gjetën armë dhe municion shtesë. Ministria polake e Mbrojtjes Kombëtare hodhi poshtë pretendimet se sulmuesi ishte pjesëtar aktual apo ish-pjesëtar i ushtrisë.
Ndërkohë, media polake „Fakt“ raportoi se tre personat e gjetur të vrarë në banesën e të dyshuarit ishin prindërit dhe motra e tij. Prokurori Tomasz Waszczuk, zëdhënës i Prokurorisë së Qarkut në Krakov, e konfirmoi këtë informacion.
Trupat u gjetën në qytetin Ostrowiec Świętokrzyski, ku jetonte 24-vjeçari i identifikuar si Michał O. Për shkak të dyshimeve se në objekt mund të kishte mjete shpërthyese, policia fillimisht dërgoi një dron për të kontrolluar ndërtesën. Gjatë kontrollit u zbuluan trupat e dy grave dhe një burri.
Rrethanat e vdekjes së tyre ende po hetohen.
Motivi i sulmit mbetet i paqartë. Ministri Kierwiński tha se të dhënat e para tregojnë se i dyshuari kishte pasur “qëndrime shumë radikale”. Ekzistojnë gjithashtu dyshime për një interesim të tij ndaj ideologjive të ekstremit të djathtë, por hetuesit ende duhet të përcaktojnë nëse kjo ka lidhje me sulmin.
Sipas policisë, sulmuesi ka vepruar i vetëm, ndërsa janë hedhur poshtë raportimet për përfshirjen e mundshme të një bashkëpunëtori.
Foto: EPA | Burimi: Onet dhe Fakt, përmes mediave polake. Përgatiti: Flaka Media.











