BDI: 83 seanca të Qeverisë pa procesverbale të publikuara në gjuhën shqipe
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka denoncuar atë që e cilëson si “skandal në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut”, duke pretenduar se për afro 11 muaj procesverbalet e seancave të Qeverisë nuk janë publikuar në gjuhën shqipe.
Sipas BDI-së, procesverbali i fundit i publikuar në shqip në faqen zyrtare të Qeverisë daton më 19 shtator 2025. Që nga atëherë, sipas partisë, janë zhvilluar 83 seanca të Qeverisë, ndërsa procesverbalet përkatëse vazhdojnë të mungojnë në versionin shqip.
BDI vlerëson se bëhet fjalë për dokumentacion zyrtar të institucionit më të lartë të pushtetit ekzekutiv dhe kërkon sqarime lidhur me mënyrën se si po zbatohet Ligji për Përdorimin e Gjuhëve brenda Qeverisë.
“Situata është edhe më serioze pasi çështja është ngritur publikisht edhe më herët, ndërsa përfaqësues të s’VLEN-it kanë deklaruar se procesverbalet janë në dispozicion edhe në gjuhën shqipe”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia opozitare kërkon që Qeveria të bëjë publike arsyet e mosbotimit të procesverbaleve, të përcaktojë përgjegjësinë institucionale dhe të publikojë menjëherë të gjithë dokumentacionin që mungon në gjuhën shqipe.
BDI gjithashtu kërkon verifikimin e përgjegjësisë eventuale ligjore, duke iu referuar sanksioneve të parapara për mosrespektimin e dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Në reagim, BDI kritikon edhe Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, duke pretenduar se institucioni është dobësuar dhe degraduar deri në atë masë sa është bërë “praktikisht i pafuqishëm”.
“Ta thërrasim Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve tashmë pothuajse nuk vlen. s’VLEN-i e ka degraduar dhe dobësuar deri në atë pikë sa ky institucion, që duhej të ishte një nga mekanizmat kryesorë për mbrojtjen e gjuhës shqipe, është bërë praktikisht i pafuqishëm”, deklaron BDI.
Në fund, BDI kërkon zbatimin e ligjit, publikimin e menjëhershëm të procesverbaleve në gjuhën shqipe dhe përgjegjësi institucionale për situatën e krijuar.
Erdhi reagimi nga VLEN-i. Nga partia VLEN i janë kundërpërgjigjur akuzave të BDI-së, të cilët, sot deklaruan se për afër një vit procesverbalet e mbledhjeve të Qeverisë nuk janë publikuar në gjuhën shqipe. Sipas tyre, BDI po bën zhurmë për dokumentet por faktet, thonë ata ia prishin hesapet.
“Pikërisht Artan Grubi, sa ishte zëvendëskryeministër i parë, nënshkruante vendime zyrtare vetëm në gjuhën maqedonase. Firma e tij është aty, e zezë mbi të bardhë.
Jeta në opozitë e ka gërryer aq shumë BDI-në, sa u janë bërë lëmsh edhe shifrat. E kur u dalin përpara dokumentet me firmën e Artan Grubit, bëhen sikur kanë rënë nga Marsi. Nëse BDI-ja është kaq e merakosur për ligjin dhe përgjegjësinë, le të mos numërojë seanca e të shesë mjegull. Le t’i bashkohet thirrjes sonë drejtuar Prokurorisë dhe të kërkojë përgjigje të qartë se deri ku ka mbërritur çështja që e çoi Artan Grubin në listën e zezë amerikane?
Por pikërisht këtu BDI-së i pritet filmi”, thuhet në reagimin e VLEN-it. Më tej ata thonë se në vend që t’ia varin Grubit në qafë të gjitha gjynahet e veta, “le të kërkojnë bashkë me ne që Prokuroria të tregojë se ku ka ngecur çështja e tij. Apo kanë frikë se, bashkë me të, do të hapet edhe kutia e zezë e BDI-së?”. Gazeta Flaka










