Ushqimet që ndihmojnë për t’u freskuar gjatë ditëve të nxehta të verës
Temperaturat e larta gjatë verës mund të shoqërohen me lodhje, etje dhe ndjesi rëndese, ndaj përveç konsumimit të mjaftueshëm të lëngjeve, rëndësi ka edhe mënyra e ushqyerjes.
Në ditët e nxehta, rekomandohet përzgjedhja e ushqimeve të lehta dhe të pasura me ujë. Shalqiri është një prej alternativave më të përshtatshme, falë përmbajtjes së lartë të ujit, vitaminave dhe antioksidantëve. Ai mund të konsumohet i freskët, në sallata frutash ose në pije të ftohta.
Edhe kastraveci është i pasur me ujë dhe mund të përdoret në sallata, sanduiçe apo të kombinohet me kos. Një tjetër alternativë freskuese është uji me kastravec dhe limon.
Në listë përfshihen edhe agrumet, si limoni, portokalli dhe mandarina, të cilat ofrojnë vitaminë C. Ndërkohë, domatet mund të jenë pjesë e vakteve të lehta, veçanërisht në sallata.
Për një vakt të ndërmjetëm mund të zgjidhen luleshtrydhet, mjedrat, boronicat dhe manaferrat, të cilat mund të konsumohen të freskëta ose së bashku me kos.
Edhe kosi i ftohtë është një zgjedhje praktike gjatë vapës dhe mund të kombinohet me fruta ose kastravec.
Krahas hidratimit të vazhdueshëm, konsumimi i frutave, perimeve dhe vakteve të lehta mund të ndihmojë që ditët me temperatura të larta të përballohen më lehtë.
Flaka










