Kuvendi Studentor i UT-së: Jurisprudenca, noteria dhe përmbarimi edhe në shqip
Kuvendi Studentor i Universitetit të Tetovës i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë: Provimi i jurisprudencës, ai për noterë, përmbarues dhe provimet e tjera profesionale të organizohen edhe në shqip
Kuvendi Studentor i Universiteti i Tetovës ka dorëzuar sot në Ministrinë e Drejtësisë kërkesë që provimi i jurisprudencës, provimi për noterë, provimi për përmbarues dhe provimet e tjera shtetërore profesionale të mund të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe.
Në kërkesën drejtuar ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, studentët theksojnë se kjo çështje është ngritur disa herë gjatë dy viteve të fundit pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të tjera kompetente, por deri tani, sipas tyre, nuk është gjetur një zgjidhje konkrete.
Kuvendi Studentor kërkon që jo vetëm provimet, por edhe materialet për përgatitje dhe të gjitha pjesët përbërëse të procesit të provimit të jenë në dispozicion në gjuhën shqipe.
Sipas studentëve, organizimi i këtyre provimeve vetëm në gjuhën maqedonase krijon vështirësi shtesë dhe kushte të pabarabarta për studentët shqiptarë që studimet i ndjekin në gjuhën shqipe.
Kryetari i Kuvendit Studentor, Gent Kurtishi, e lidh këtë kërkesë me të drejtën për përdorimin e gjuhës shqipe, si dhe me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit.
“Nuk është e pranueshme që studentët që studiojnë në gjuhën shqipe të përballen me kushte të ndryshme gjatë përfundimit të procesit të tyre profesional. Gjuha e studimit duhet të jetë edhe gjuha në të cilën studenti ka mundësi të japë provimet profesionale shtetërore”, theksohet në kërkesën e dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë.
Studentët kërkojnë zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve
Kuvendi Studentor i UT-së kërkon zbatimin e plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke iu referuar veçanërisht nenit 23, paragrafëve 4 dhe 5.
Sipas tyre, ekzistojnë si bazat ligjore, ashtu edhe mundësitë praktike që provimet shtetërore profesionale të organizohen në të dyja gjuhët, në pjesën teorike dhe praktike.
Studentët vlerësojnë se një mundësi e tillë do të garantonte kushte më të barabarta për të gjithë kandidatët dhe do të lehtësonte rrugëtimin e tyre drejt ushtrimit të profesioneve juridike.
Në fokus janë veçanërisht provimi i jurisprudencës, provimi për noterë dhe ai për përmbarues, të cilët përbëjnë një nga hapat kryesorë për studentët e drejtësisë që synojnë profesionet juridike.
Kuvendi Studentor thekson se barazia në këtë proces nuk duhet të mbetet vetëm parim formal, por duhet të reflektohet edhe në mundësinë që kandidatët të zhvillojnë provimet profesionale në gjuhën në të cilën kanë ndjekur arsimin e tyre.
Në fund, studentët i bëjnë thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të ndërmarrë masat e nevojshme dhe të ofrojë një zgjidhje konkrete, në mënyrë që kandidatët, pavarësisht gjuhës në të cilën kanë studiuar, të kenë trajtim dhe mundësi të barabarta në avancimin profesional. Gazeta Flaka










