A është mirë të hani të njëjtin mëngjes çdo ditë? Ja çfarë duhet të përmbajë
Mëngjesi mund të jetë një mundësi e mirë për t’i siguruar organizmit një pjesë të rëndësishme të proteinave, fibrave, vitaminave dhe mineraleve që i nevojiten gjatë ditës. Për disa njerëz, konsumimi i një mëngjesi të ngjashëm çdo ditë mund të ndihmojë në krijimin e një rutine të qëndrueshme ushqimore.
Një mëngjes i ekuilibruar mund të përfshijë kos, fruta, tërshërë, arra, fara, vezë, perime ose drithëra integrale. Për shembull, kosi me tërshërë dhe fruta të stinës, vezët e ziera ose një omëletë me perime janë alternativa që mund të ofrojnë një kombinim të mirë të proteinave dhe fibrave.
Proteinat kanë një rol të rëndësishëm
Sipas këshillave ushqimore, proteinat janë veçanërisht të dobishme në mëngjes, pasi mund të ndihmojnë në rritjen e ngopjes dhe në kontrollin e urisë gjatë ditës. Burime të mira proteinash janë vezët, kosi, gjiza dhe produkte të tjera të bulmetit, ndërsa alternativa bimore përfshijnë arrorët, farat dhe bishtajoret.
Megjithatë, problemi nuk qëndron te përsëritja e të njëjtit mëngjes, por te cilësia dhe balanca e ushqimeve që zgjidhen.
Kujdes me drithërat dhe ushqimet e përpunuara
Një mëngjes i bazuar kryesisht në bukë të bardhë, brumëra apo drithëra të përpunuara me sheqerna të shtuara mund të mos jetë zgjedhja më e mirë. Në vend të tyre, mund të preferohen drithërat integrale dhe ushqimet që ofrojnë më shumë fibra dhe vlera ushqyese.
Një rutinë e qëndrueshme mëngjesi mund të jetë praktike dhe e dobishme, por nuk është e domosdoshme që të konsumoni çdo ditë saktësisht të njëjtin ushqim. Ndryshimi i burimeve të proteinave, frutave, perimeve dhe drithërave gjatë javës mund të ndihmojë në marrjen e një game më të gjerë të lëndëve ushqyese.
Nëse synimi është rënia në peshë, rëndësi ka bilanci i përgjithshëm i ushqyerjes dhe aktivitetit fizik gjatë gjithë ditës, jo vetëm zgjedhja e mëngjesit.
Flaka










