Studimi zbulon përfitimet e fibrave: Mund të ulin rrezikun e sëmundjeve kronike
Njerëzit që konsumojnë dieta të pasura me fibra mund të kenë një rrezik më të ulët për vdekje dhe për zhvillimin e sëmundjeve kronike, krahasuar me ata që konsumojnë sasi të ulëta fibrash, sipas një studimi të ri.
Fibrat gjenden kryesisht në ushqime me bazë bimore, përfshirë drithërat, farat dhe disa bishtajore, dhe konsiderohen një pjesë e rëndësishme e një ushqyerjeje të shëndetshme.
Andrew Reynolds, studiues në Universitetin e Otago në Zelandën e Re dhe bashkautor i studimit, theksoi se përfitimet shëndetësore të fibrave janë mbështetur nga më shumë se një shekull kërkimesh.
Meta-analiza e re, e publikuar në revistën shkencore “The Lancet”, shqyrtoi të dhënat nga më shumë se 180 studime vëzhguese dhe 50 studime klinike të zhvilluara gjatë katër dekadave.
Sipas gjetjeve, një konsum më i lartë i fibrave u shoqërua me një rrezik më të ulët për disa sëmundje, përfshirë sëmundjet e zemrës, diabetin e tipit 2 dhe kancerin kolorektal.
Studimi gjithashtu raportoi lidhje mes konsumit më të lartë të fibrave dhe peshës më të ulët trupore, nivelit më të ulët të kolesterolit total, si dhe uljes së rrezikut të vdekshmërisë.
Studiuesit theksojnë rëndësinë e përfshirjes së ushqimeve të pasura me fibra në një dietë të ekuilibruar, duke marrë parasysh nevojat individuale ushqyese.
Flaka










