E nisni ditën pa ngrënë? Ja pse anashkalimi i mëngjesit mund të jetë gabimi i parë i ditës
Mëngjesi konsiderohet një nga vaktet më të rëndësishme të ditës, ndërsa anashkalimi i tij mund të ndikojë në mënyrën se si ushqehemi gjatë orëve në vazhdim.
“Nëse i ikim mëngjesit, atëherë patjetër që do të bëjmë një zgjedhje jo të duhur për drekë. Njerëzit që kalojnë mëngjesin, hanë më shumë gjatë ditës”, shprehet Emily Banes, eksperte e dietës në Qendrën Mjekësore Northwest Houston.
Megjithatë, lënia e mëngjesit pa konsumuar është një zakon që shumë njerëz e kanë përsëritur të paktën disa herë. Arsyet janë të ndryshme, duke nisur nga mungesa e kohës në mëngjes e deri te bindja se shmangia e këtij vakti ndihmon në kontrollin e peshës.
Disa persona mendojnë se ushqimi në mëngjes mund t’u shtojë oreksin, ndërsa të tjerë nuk janë të sigurt nëse duhet të zgjedhin një vakt të lehtë apo më të pasur me kalori.
Ekspertët e ushqyerjes këshillojnë që dita të mos nisë me stomakun bosh, pasi një mëngjes i përshtatshëm mund të ndihmojë në kontrollin e urisë dhe në ruajtjen e energjisë gjatë ditës.
Edhe një vakt i thjeshtë, si një frut, një fetë bukë apo një kombinim i ekuilibruar ushqimesh, mund të jetë një zgjedhje më e mirë sesa të largoheni nga shtëpia pa konsumuar asgjë.
Për shumë njerëz, ritmi i shpejtë i mëngjesit dhe mungesa e kohës bëhen arsyeja kryesore për ta kapërcyer këtë vakt. Megjithatë, duke i kushtuar pak më shumë vëmendje ushqimit në fillim të ditës, mund të shmangen zgjedhjet e nxituara dhe uria e tepërt më vonë.
Flaka










