Tottenham interesohet për Eric García, Barcelona vendos çmimin e mbrojtësit
Tottenham Hotspur po monitoron situatën e mbrojtësit të Barcelonës, Eric García, me synimin për të tentuar transferimin e tij në merkaton e janarit.
Sipas raportimeve, klubi londinez e sheh 25-vjeçarin si një përforcim të rëndësishëm për repartin defensiv, veçanërisht për shkak të aftësisë së tij për të luajtur në disa pozicione. García mund të aktivizohet si në qendër të mbrojtjes, ashtu edhe në krahun e djathtë.
Megjithatë, Tottenham nuk është klubi i vetëm që po ndjek mbrojtësin spanjoll. Interi dhe Fiorentina gjithashtu raportohet se po monitorojnë situatën e tij.
Barcelona është e kënaqur me García-n dhe nuk ka një dëshirë të menjëhershme për ta shitur, pasi lojtari ka kontratë me klubin katalanas deri në vitin 2031. Megjithatë, në rast të një oferte të përshtatshme, Barça do të ishte e gatshme të dëgjonte propozimet që kapin rreth 60 milionë euro, me mundësinë e përfshirjes edhe të një klauzole për përqindje nga një shitje e ardhshme.
García iu bashkua Barcelonës si lojtar i lirë pas largimit nga Manchester City, ndërsa tashmë mund të bëhet objektiv i një lëvizjeje të rëndësishme në Premier League.
Flaka












