Ditët e nxehta, çfarë duhet të bëni për të mbrojtur shëndetin
Temperaturat e larta gjatë verës mund të ndikojnë në shëndetin e njerëzve, ndaj është e rëndësishme të merren masa për të shmangur pasojat e vapës.
Ekspertët këshillojnë që ekspozimi në diell të shmanget nga ora 10:00 deri në 17:00, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.
Një nga masat më të rëndësishme është konsumimi i mjaftueshëm i ujit, pasi trupi humb shumë lëngje përmes djersitjes. Këshillohet gjithashtu konsumimi i ushqimeve të pasura me ujë, si shalqiri, kastraveci, domatet dhe sallata.
Në rast të djersitjes së tepërt, lodhjes, ngërçeve ose rrahjeve të shpejta të zemrës, duhet kaluar menjëherë në një ambient të freskët dhe me hije, si dhe të konsumohen lëngje.
Për mbrojtje nga dielli rekomandohen rroba të lehta dhe me ngjyra të çelëta, kapelë dhe syze dielli. Gjithashtu, përdorimi i kremrave me faktor mbrojtës ndihmon në mbrojtjen e lëkurës nga rrezatimi ultraviolet.
Kujdes të veçantë duhet treguar për fëmijët dhe bebet, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta dhe rrezatimit të diellit.
Flaka










