Mickoski ankohet nga 39-vjeçari prej Çerkezi: Paskam qenë derr dhe do të më therte në shesh
Gjykata ka caktuar tetë ditë paraburgim për 39-vjeçarin A.D. nga Çerkezi i Kumanovës, i dyshuar se përmes rrjeteve sociale ka kërcënuar kryeministrin Hristijan Mickoski.
Rasti nisi pas një komenti të publikuar të premten në një postim në profilin e Mickoskit. Sipas kryeministrit, në koment kishte edhe kërcënime të drejtpërdrejta ndaj tij dhe familjes së tij.
“Kam mësuar dje për kërcënimet e shkruara në rrjetet sociale”, deklaroi Mickoski, duke shtuar se institucionet kanë reaguar dhe se personi është ndaluar nga policia. Paskam qenë derr dhe do të më therte në shesh.
SPB Kumanovë ka ngritur kallëzim penal ndaj 39-vjeçarit për veprën “rrezikim i sigurisë”, sipas nenit 144, paragrafi 5 të Kodit Penal.
Por, sipas Prokurorisë Publike, çështja nuk kufizohet vetëm te kërcënimi i publikuar në rrjetet sociale.
Prokuroria thotë se ndaj të dyshuarit ekzistojnë edhe të dhëna për përfshirje në raste të tjera që lidhen me krim të dhunshëm, dhunë dhe fajde, ndërsa ndaj tij janë evidentuar edhe një numër i madh kundërvajtjesh për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Sipas vlerësimit të prokurorisë, sjellja e mëparshme e të dyshuarit tregon për një person konfliktual, i cili në vazhdimësi është përfshirë në debate, kërcënime dhe përleshje fizike.
Pikërisht kjo histori ka qenë një nga arsyet për të cilat prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit. Sipas saj, ekziston rreziku që sjellja agresive të përshkallëzohet dhe të çojë në vepra më të rënda penale me pasoja për jetën.
Kështu, një koment kërcënues në rrjetet sociale është shndërruar në një rast më të gjerë penal, ku autoritetet po shqyrtojnë edhe sjelljen e mëparshme të personit të dyshuar.
I dyshuari konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë gjyqësore.










