BE vendos kufizime për rrjetet sociale të fëmijëve – Po në RMV, a do të vlejnë të njëjtat rregulla?
Komisioni Evropian ka propozuar rregulla të reja për mbrojtjen e fëmijëve në internet, me kufizime të rrepta për përdorimin e rrjeteve sociale deri në moshën 18-vjeçare. Sipas rregullave të reja, fëmijët nën 13 vjeç nuk do të mund të përdorin rrjetet sociale, ndërsa ata nën 15 vjeç nuk do të mund të krijojnë profile personale. Për moshat 13 deri në 15 vjeç, parashikohen mini-profile të krijuara dhe të kontrolluara nga prindërit ose kujdestarët, me funksione të kufizuara dhe përdorim deri në një orë në ditë.
Për të rinjtë nga 15 deri në 18 vjeç, platformat do të duhet të zbatojnë parimin e “sigurisë që në dizajn”, duke vendosur masa të posaçme mbrojtëse. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se platformat teknologjike duhet të garantojnë sigurinë e përdoruesve të mitur dhe të mbajnë përgjegjësi për përmbajtjen që u ofrohet. Mosha e përdoruesve do të verifikohet përmes mjeteve të certifikuara nga BE-ja për kontrollin e moshës.
A do të vlejnë rregullat edhe në Maqedoninë e Veriut?
Rregullat e reja të Komisionit Evropian nuk do të zbatohen automatikisht në Maqedoninë e Veriut, pasi vendi ende nuk është anëtar i Bashkimit Evropian. Megjithatë, ndryshimet mund të kenë ndikim edhe në vend, përmes procesit të harmonizimit të legjislacionit kombëtar me rregullat e BE-së.
Komisioni Evropian ka vlerësuar se Maqedonia e Veriut duhet të bëjë hapa të mëtejshëm për harmonizimin me Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA), i cili rregullon platformat online dhe synon një mjedis digjital më të sigurt dhe më transparent. Në mars të këtij viti, përfaqësues të Maqedonisë së Veriut morën pjesë në një takim të organizuar nga Komisioni Evropian për rreziqet online dhe rregullimin e platformave në vendet kandidate dhe potenciale kandidate për anëtarësim.
Kjo do të thotë se, nëse vendi vendos t’i përshtatë rregullat e veta me modelin e ri evropian, kufizime të ngjashme për moshën, verifikimin e përdoruesve dhe mbrojtjen e të miturve mund të shfaqen edhe në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, deri tani nuk ka një vendim të Komisionit Evropian që këto kufizime të zbatohen drejtpërdrejt në RMV.
Sipas propozimit të ri të BE-së, fëmijët nën 13 vjeç nuk do të kenë llogari në rrjetet sociale, ndërsa moshat 13–14 vjeç do të mund të përdorin vetëm llogari të kufizuara dhe të mbikëqyrura nga prindërit, me kohë përdorimi deri në një orë në ditë. Nga mosha 15 vjeç do të lejohen llogaritë personale, por platformat do të kenë detyrime të posaçme për sigurinë e të miturve.
Mosha do të verifikohet përmes zgjidhjeve të certifikuara të verifikimit të moshës, të dizajnuara për të konfirmuar moshën pa zbuluar domosdoshmërisht identitetin e përdoruesit. Gazeta Flaka










