Marta Kos: RMV duhet të ndryshojë Kushtetutën për të vazhduar rrugën drejt BE-së
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se Maqedonia e Veriut duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, në mënyrë që të avancojë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në një intervistë për televizionin bullgar BNT, Kos u pyet se si mund të ndikohet Shkupi që të miratojë ndryshimet kushtetuese dhe të zhbllokojë procesin e integrimit. Ajo tha se beson se me qeverinë e re bullgare do të gjendet një mënyrë për të çuar përpara procesin e Maqedonisë së Veriut.
“Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet ta përmbushë premtimin e saj. Ajo duhet ta ndryshojë Kushtetutën”, deklaroi Kos, duke shtuar se kjo është dakorduar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe 27 vendeve anëtare të BE-së.
Ndryshimet kushtetuese lidhen me përfshirjen e qytetarëve që i përkasin popujve të tjerë, përfshirë bullgarët. Ky angazhim është pjesë e kushteve të përcaktuara në kuadër të procesit të negociatave të vendit me BE-në.
Kos tha gjithashtu se pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese pret mbështetjen e Bullgarisë për avancimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në procesin evropian. Gazeta Flaka










