Trump falënderon Shqipërinë dhe Kosovën për angazhimin në stabilizimin e Gazës
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka falënderuar publikisht Shqipërinë dhe Kosovën për angazhimin e tyre në përpjekjet për stabilizimin e situatës në Rripin e Gazës.
Në fjalimin e tij në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Trump përmendi Shqipërinë dhe Kosovën mes vendeve që, sipas tij, kanë zotuar trupa ushtarake, personel policor dhe trajnime në kuadër të përpjekjeve për sigurinë dhe stabilizimin e Gazës.
“Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj ata që kanë zotuar trupa ushtarake, polici dhe trajnime për të ndihmuar në stabilizimin e Gazës, përfshirë Indonezinë, Marokun, Shqipërinë, Kosovën, Kazakistanin, Egjiptin, Jordaninë e të tjerë”, deklaroi Trump.
Në fjalimin e tij, presidenti amerikan foli edhe për Planin e Paqes prej 20 pikash për Gazën dhe për rolin e “Bordit të Paqes”, strukturë që ai e kryeson. Plani i Trump është miratuar nga Këshilli i Sigurimit përmes Rezolutës 2803 (2025), e cila parashikon një kuadër tranzitor për administrimin, sigurinë dhe rindërtimin e Gazës.
Trump tha se vende të ndryshme kanë kontribuar me fonde për ndihmë humanitare dhe rindërtimin e Gazës, ndërsa vlerësoi angazhimin e shteteve që janë përfshirë në përpjekjet për stabilizimin e territorit.
Sipas dokumenteve të OKB-së, Shqipëria dhe Kosova janë ndër vendet që kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit, në kuadër të zbatimit të planit për Gazën.
Trump e lidhi gjithashtu politikën e tij diplomatike me një sërë marrëveshjesh dhe procesesh paqeje që ai tha se administrata e tij i ka ndërmjetësuar ose ndihmuar, duke përmendur ndër të tjera Kosovën dhe Serbinë, Armeninë dhe Azerbajxhanin, si dhe Pakistanin dhe Indinë.
Fjalimi i Trump u mbajt gjatë debatit të përgjithshëm të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, i cili zhvillohet nga 22 deri më 28 shtator në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Gazeta Flaka










