ASH: VLEN premtoi se ish-ushtarët e UÇK-së nuk do të ndaloheshin më, ndalohet sërish një ish-luftëtar i UÇK-së
Sipas raportimeve të autoriteteve mbrëmë ish-luftëtari i UÇK-së Fadil Pushkolli është ndaluar në pikën kufitare Bllacë, mbi bazën e një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia.
Ky rast kërkon përgjigje të menjëhershme nga VLEN.
Më 15 mars 2025, Izet Mexhiti deklaronte publikisht se ishte arritur marrëveshje që ish-ushtarët e UÇK-së të mos ndaloheshin më në kufijtë e Maqedonisë së Veriut dhe premtonte një zgjidhje sistemore, ligjore dhe të përhershme.
Një çerek shekulli në pushtet e në funksione publike, ndërsa Izet Mexhiti ende i’u flet shqiptarëve me premtime për “zgjidhje të përhershme”. Sot, realiteti po dëshmon diçka tjetër.
Çfarë ndodhi me atë marrëveshje?
Sepse ky nuk është rasti i parë. Blerim Ramadani u arrestua në korrik të vitit 2024. Emin Bajrami u ndalua në shkurt të vitit 2025. Sot kemi rastin e Fadil Pushkollit.
VLEN duhet t’i tregojë opinionit publik se çfarë vlere kanë premtimet e tyre kur ish-pjesëtarë të UÇK-së vazhdojnë të përballen me fletëarreste të lëshuara nga Serbia në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Kërkojmë nga institucionet kompetente transparencë të plotë për rastin e Fadil Pushkollit, respektimin e të gjitha të drejtave të tij dhe sqarim të menjëhershëm mbi bazën juridike të ndalimit.
Nga VLEN kërkojmë një përgjigje shumë të thjeshtë: ku mbeti “zgjidhja e përhershme” që ia premtuan opinionit publik?
Fadil Pushkolli, pronar i agjencisë kosovare të lajmeve KosovaPost dhe ish-pjesëtar i UÇK-së, ishte ndaluar në pikën kufitare “Bllacë”, me urdhër dhe fletarrest të lëshuar nga Serbia.
Për ndalimin në kufi, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar vetë Pushkolli, i cili u ka kërkuar institucioneve të Kosovës që menjëherë të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zgjidhjen e këtij rasti dhe mbrojtjen e të drejtave të tij.
Pak më vonë, ai njoftoi se ishte liruar.
“Pas bisedës dhe marrjes në pyetje, u lirova nga policia e Maqedonisë së Veriut. Dua ta falënderoj policinë e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht policët shqiptarë, për korrektësinë, respektin dhe sjelljen e mirë gjatë gjithë procedurës”, shkroi ai.
Por, gjatë ditës së sotme, ai përmes një postimi në Facebook ka falënderuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, për angazhimin, përkushtimin dhe ndërhyrjen e tyre lidhur me rastin dhe për lirimin e tij.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Astrit Iseni, ka vlerësuar publikisht dëshminë e ish-luftëtarit të UÇK-së, Fadil Pushkolli, lidhur me profesionalizmin dhe korrektësinë e treguar nga pjesëtarët e policisë gjatë ndalimit dhe procedures së lirimit të tij.
Iseni theksoi se trajtimi dinjitoz i çdo qytetari është një standard institucional për të cilin po punohet çdo ditë.
“E vlerësoj sinqerisht këtë dëshmi të ish-luftëtarit Fadil Pushkolli për korrektësinë dhe respektin e shfaqur për profesionalizmin e pjesëtarëve të Policisë së Maqedonisë së Veriut. Faleminderit për fjalët dhe vlerësimin. Këto janë vlerat për të cilat po punojmë çdo ditë,” ka deklaruar zëvendësministri Iseni.
Nderkohë, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Pushkolli, ishte ndaluar në pikëkalimin kufitar Bllacë–Elez Han mbi bazën e një fletëarresti të lëshuar nga autoritetet e Serbisë. Pas procedurave verifikuese dhe marrjes në pyetje, ai është lënë menjëherë i lirë.










