Studentët shqiptarë nuk tërhiqen: “Nuk pranojmë zgjidhje gjysmake për provimin e jurisprudencës”
Studentët shqiptarë vazhdojnë të kundërshtojnë zgjidhjen e paralajmëruar nga ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhë të ndryshme.
Ata thonë se nuk do të pranojnë kompromis që, sipas tyre, nuk garanton të drejta të barabarta dhe kërkojnë një zgjidhje të qartë e të plotë. Në emisionin “Gjurmët” në Alsat, studentët paralajmëruan se do të vazhdojnë të kërkojnë konkretizimin e kërkesave të tyre.
“Ne nuk e lëmë me kaq. Qoftë nëse marrim një përgjigje negative, qoftë nëse marrim një përgjigje siç e thamë, gjysmake, gjysmë shqip e gjysmë maqedonisht, çështja nuk lihet në mes të rrugës”, tha studentja Hava Nasufi.
Edhe studenti Jon Selimi tha se studentët do ta shqyrtojnë propozimin e ministrit pasi ai të prezantohet.
“Do ta shohim se çfarë do të propozojë ministri, do ta shqyrtojmë, do ta bisedojmë. Nëse ka zgjidhje konkrete do ta pranojmë, nëse nuk ka, nuk e pranojmë”, deklaroi Selimi.
Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, tha se në fillim të tetorit do të zhvillojë një takim institucional me përfaqësuesit e asociacioneve studentore dhe dekanët e fakulteteve juridike, ku do të prezantohet zgjidhja dhe mënyra e zbatimit të saj.
Sipas Shasivarit, propozimi parasheh që provimi i jurisprudencës të mund të zhvillohet në gjuhën shqipe, turke dhe angleze, krahas gjuhës maqedonase.
“Në pjesën e parë të tetorit do të organizoj takim institucional me përfaqësues të asociacioneve studentore, me dekanët e fakulteteve juridike, për prezantimin e zgjidhjes dhe për sqarimin konkret, si dhe për demonstrimin praktik të zgjidhjes”, tha Shasivari.
Ai shtoi se aktualisht janë parashtruar pesë kërkesa nga pesë asociacione studentore, ndërsa theksoi rëndësinë e respektimit të standardeve ndërkombëtare dhe evropiane.
Për studentët, megjithatë, hapi vendimtar do të jetë përmbajtja konkrete e zgjidhjes. Ata paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre nëse propozimi nuk garanton, sipas tyre, një zgjidhje të plotë dhe të zbatueshme në praktikë. Gazeta Flaka










