Mickoski: NATO, partneriteti me SHBA-në dhe BE-ja janë një orientim i vetëm

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cilësoi orientimin euroatlantik si boshtin kryesor të politikës së jashtme të vendit.
Mickoski tha se qytetarët e Maqedonisë së Veriut e kanë të qartë orientimin strategjik të shtetit, duke veçuar anëtarësimin në NATO, partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe synimin për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.
“Qytetarët maqedonas e dinë ku përkasin”, deklaroi Mickoski.
Sipas kryeministrit, këto tri drejtime nuk duhet të shihen si politika të veçuara, por si pjesë e të njëjtit përcaktim gjeopolitik.
“Këto nuk janë tri politika të ndara. Ato janë një orientim i vetëm gjeopolitik”, tha ai.
Mickoski theksoi se ky orientim, sipas tij, mbështetet në demokracinë, sigurinë kolektive, sundimin e ligjit dhe ekonominë e hapur.
Duke folur për zhvillimet ndërkombëtare dhe pasigurinë globale, kryeministri tha se Maqedonia e Veriut duhet të ketë një qëndrim të qartë strategjik.
“Në një botë të pasigurt, përgjigjja jonë nuk duhet të jetë paqartësia strategjike, por qartësia.”
Megjithatë, Mickoski nënvizoi se përcaktimi i vendit me aleatët e tij nuk nënkupton mbyllje ndaj shteteve me interesa dhe pikëpamje të ndryshme.
“Bota nuk ka nevojë për një tjetër ndarje në blloqe të përhershme. Nevojitet konkurrencë me kufij dhe rregulla që të gjithë duhet t’i respektojnë”, deklaroi kryeministri.











