19 valixhe me pajisje përgjimi, arrestohen dy shtetas rusë dhe izraelitë në Mal të Zi

Policia malazeze ka arrestuar në aeroportin e Tivarit dy shtetas të Rusisë dhe Izraelit, pasi gjatë kontrollit të bagazheve u zbuluan pajisje elektronike që autoritetet dyshojnë se mund të përdoren për mbikëqyrje dhe zbulimin e pajisjeve të fshehta të përgjimit.
Sipas policisë, Aleksandar Mihajlloviç Krugljanski, 31 vjeç, dhe Aleksandra Krugljanska, 42 vjeçe, po përgatiteshin të udhëtonin drejt Tel Avivit. Ata kishin me vete gjithsej 19 valixhe dhe çanta, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e bagazhit përmbante pajisje elektronike.
Gjatë kontrollit u sekuestruan, ndër të tjera, gjurmues GPS me mikrofon, pajisje për zbulimin e sinjaleve radio, kamera dhe pajisje për video-mbikëqyrje, komponentë kompjuterikë, pajisje memorie dhe kabllo.
Policia gjeti gjithashtu ilaçe të padeklaruara, si dhe para në vlerë prej 26.210 eurosh dhe 1.150 shekelësh izraelitë.
Sipas raportimeve të mediave malazeze, dy të dyshuarit kishin hyrë disa herë në Mal të Zi gjatë periudhës së fundit dhe qëndronin në vend me vizë turistike.
Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore të Shtetit në Kotor, ndaj tyre është ngritur kallëzim penal nën dyshimin për kontrabandë dhe pastrim parash.
Autoritetet malazeze kanë bërë të ditur se hetimi po zhvillohet në bashkëpunim me Agjencinë për Siguri Kombëtare (ANB) dhe partnerë ndërkombëtarë të inteligjencës, me qëllim përcaktimin e origjinës së pajisjeve, destinacionit të tyre dhe motiveve të të dyshuarve.
Hetimi është në zhvillim dhe pretendimet ndaj të arrestuarve mbeten objekt i procedurës kompetente.











