Takimi Kurti–Hamza zgjat gati tre orë, PDK vendos kushtin për presidentin
Pas gati tre orësh bisedime, ka përfunduar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.
Në përfundim të takimit, Hamza ka bërë të qartë se PDK-ja mbetet në të njëjtin qëndrim: fillimisht duhet të përfundojë procesi i miratimit të një ligji, ndërsa më pas partia e tij është e gatshme të diskutojë për zgjedhjen e presidentit.
“Kërkesa e PDK-së është aprovimi i ligjit në të dy leximet. Aprovimi final. Pastaj Partia Demokratike është e gatshme që në të njëjtën ditë, në seancën e radhës, të bisedojë, për të gjetur zgjidhjen për presidentin dhe t’i japim votat për presidentin”, deklaroi Hamza.
Ai tha se palët i kanë përfunduar bisedimet, por ende mbeten disa ditë për të arritur një marrëveshje.
“Nuk e di a do të ndodhë marrëveshja”, tha Hamza pas takimit.
Takimi vjen në një moment kur çështja e zgjedhjes së presidentit dhe miratimi i ligjit janë bërë pjesë e negociatave politike mes palëve.
Mesohet se Kurti ka propozuar që projektligji për Specialen të miratohet fillimisht vetëm në lexim të parë. Pas kësaj, Kuvendi do të zgjidhte presidentin, dhe vetëm atëherë do të votohej leximi i dytë.
Hamza, sipas raportimit, e ka refuzuar këtë formulë. PDK-ja kërkon që ligji të miratohet në të dy leximet përpara se partia të përfshihet në zgjedhjen e presidentit. PDK-ja nuk kërkon që presidenti i ardhshëm të jetë kandidat i saj. Hamza i ka thënë Kurtit se është i hapur për emrat që propozon ai, me kusht që procedura për Specialen të përfundojë më parë.












