Portali kërkoi falje për listën e pasaktë të pagave, por publikimi vazhdon të qarkullojë në portale dhe profile të afërta me VLEN-in
Edhe pse faqja “RITMI”, nga e cila fillimisht u publikua lista e pretenduar e pagesave të zyrtarëve të BDI-së, e ka tërhequr materialin dhe ka kërkuar falje publike për pasaktësitë, i njëjti informacion vazhdon të qarkullojë në portale të afërta me pushtetin dhe në profile të zyrtarëve të VLEN-it që e kishin ripublikuar.
Në reagimin e saj, redaksia e RITMI-t pranoi se shifrat e paraqitura kishin pasaktësi dhe se materiali ishte pranuar përmes inbox-it, pa kaluar nëpër një proces të plotë verifikimi të pavarur. Për këtë arsye, faqja u distancua nga të dhënat e publikuara dhe kërkoi falje publike ndaj personave që mund të jenë dëmtuar.
Megjithatë, tërheqja e lajmit nga burimi fillestar nuk është shoqëruar me të njëjtin veprim nga të gjitha platformat që e shpërndanë atë. Kjo ngre një çështje të rëndësishme për përgjegjësinë e mediave dhe të politikanëve që amplifikojnë informacione të pakonfirmuara.
Kujt i shërben një lajm që vetë publikuesi e pranon se përmban pasaktësi, por që vazhdon të shpërndahet edhe pasi është tërhequr?
Në një debat politik, informacioni i pakonfirmuar mund të shndërrohet lehtësisht në mjet për sulme dhe diskreditim të kundërshtarëve. Por përgjegjësia nuk përfundon te faqja që e publikon fillimisht. Ajo u takon edhe atyre që e ripublikojnë, e promovojnë dhe vazhdojnë ta paraqesin si fakt, edhe pasi janë bërë publike pasaktësitë.
Rasti tregon se korrigjimi i një informacioni nuk duhet të jetë vetëm formal. Nëse një lajm tërhiqet për shkak të pasaktësive, edhe ata që e kanë shpërndarë kanë detyrim profesional dhe publik ta përditësojnë ose ta heqin publikimin, në mënyrë që publiku të mos vazhdojë të keqinformohet.
Sepse lajmi i rremë nuk bëhet i vërtetë vetëm pse përsëritet nga shumë faqe apo shpërndahet nga zyrtarë politikë. Flaka















