Skandal në Burgun e Strumicës: Arrestohet polici i burgut, dyshohet se tentoi të shiste kokainë
Gjatë bastisjeve në shtëpinë dhe hapësirat zyrtare që përdorte, policia gjeti kokainë, marihuanë, peshore digjitale, municion dhe një portofol të vjedhur. Gjykata i caktoi 30 ditë paraburgim.
Një polic i burgut në Strumicë, 50-vjeçar, është arrestuar nën dyshimin për përfshirje në shitjen e lëndëve narkotike, posedim të paligjshëm të armëve dhe municionit, si dhe vjedhje.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), më 21 nëntor 2026, zyrtarët policorë të SPB Strumicë e kanë privuar nga liria R.S. (50), pranë Burgut të Strumicës.
Sipas policisë, i dyshuari, gjatë ushtrimit të detyrës si polic burgu, është kapur duke tentuar t’i shiste kokainë një personi tjetër, para objektit të burgut. Gjatë kontrollit personal, te ai janë gjetur tri paketime me kokainë.
Gjetje të tjera gjatë bastisjeve
Pas masave shtesë hetimore dhe kontrolleve në shtëpinë e të dyshuarit dhe në hapësirat zyrtare që ai përdorte në burg, policia ka zbuluar sasi të tjera të lëndëve narkotike dhe pajisje që dyshohet se përdoreshin për përgatitjen e tyre për shitje.
„Janë gjetur disa paketime me kokainë, një paketim me marihuanë dhe një peshore digjitale“, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Gjatë kontrollit në dollapin zyrtar që përdorte polici i burgut janë gjetur edhe fishekë për pistoletë, në sasi më të madhe se ajo që i ishte ndarë zyrtarisht për kryerjen e detyrës.
Policia ka zbuluar gjithashtu një portofol, për të cilin dyshohet se kishte origjinë nga një vjedhje e raportuar më 21 nëntor 2026.
I caktohen 30 ditë paraburgim
Për të gjitha veprimet e ndërmarra është njoftuar prokurori publik, ndërsa i dyshuari është mbajtur në Stacionin Policor të Strumicës.
SPB Strumicë ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Strumicë për tri vepra penale:
- Prodhim dhe shitje e paautorizuar e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve, sipas nenit 215 të Kodit Penal.
- Prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregti e paautorizuar me armë dhe materie shpërthyese, sipas nenit 396.
- Vjedhje, sipas nenit 235 të Kodit Penal.
Pas paraqitjes së kallëzimit penal, R.S. është dërguar para gjyqtarit kompetent, i cili i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Flaka















