NËNË STANA, NËNË E TRE LUFTËTARËVE TË LIRISË, TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS
Shumë i dashuri bashkëluftëtar Ismet,
Janë të rrallë ata shokë që dijnë ta kombinojnë aq bukur dhe aq fuqishëm si Ti, pendën e pushkën, dy armët më të fuqishme të kësaj bote të “çmendur” prej padrejtësive të mëdha.
Me shkrimet tuaja të bukura e shumë përmbajtësore, kushtuar kategorisë më të shenjtë, të luftëtarëve të tri luftërave tona heroike të fundshekullit XX-të, e në veçanti dëshmorëve dhe dëshmoreve të tri Ushtrive tona çlirimtare, janë shkrime për antologji, prandaj, për së gjalli meriton të të ngritet një përmendore.
Shkrimet e tua të shumta e kanë një stil të veçantë prej të tjerëve, sepse janë shumë përmbajtësore, janë të qarta dhe shumë burimore.
Shkrimi kushtuar Nënë Stanës, Nënës së UÇK-së, Një Nëne tipike shqiptare, me rrënjë të thella të racës pellazgo-iliro-dardane, gjigande me plotkuptimin e fjalës, është shkrim tepër i veçantë nga i gjithë opusi i shkrimeve tuaja dhe, si i tillë, jo vetëm të bënë të ndihesh krenarë me Nënat shqiptare, e sidomos me kategorinë e Nënë Stanës, Nj Nënë heroinë me plotkuptimin e fjalës, Nënë e 11 fëmijëve të saj të mrekullueshëm, dhe e tre luftëtarëve të lirisë, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bukëdhënëse dhe “mjeke popullore” e shumë plagëve të trimave të UÇK-së, definitivisht të emocionon aq shumë, sa që, edhe çmimi për të “NDERI I KOMBIT”, sikur të duket pak për besë.
Nënë Stana është dhe mbetet përjetësisht mburrja dhe krenaria e Nënave të vërteta shqiptare, andaj i përkulemi kontributit të saj dhe sakrificave mbinjerëzore të familjes së saj heroike, dhënë çlirimit të Kosovës dardane nga barbaria dhe mizoria fashiste serbe!
Të lumtë Ismet shoqi, flakadani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Nusret Pllana,
Prishtinë, 13. 09.2024!