Stopohet Balancuesi – Punësimet në bazë etnike mbeten në udhëkryq
Heshtje nga pushteti ekzekutiv dhe institucionet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me hapjen e procedurës për Balancuesin dhe masën e përkohshme për ndalimin e zbatimit të neneve për punësime në administratë, në bazë të përkatësisë etnike, shkruan Alsat.
Qeveria, por as Ministria e Administratës nuk përgjigjen në pyetjet e parashtruara nga Alsat se si do të garantojnë përfaqësimin e drejtë nëpër institucione, në kushte kur Balancuesi nuk do të përdoret.
A do të përdorin ndoshta ndonjë mekanizëm tjetër dhe çfarë do të ndodh me konkurset aktuale, të cilat janë shpallur në bazë të planeve vjetore, të cilat, përcaktohen me balancues me qëllim që të sigurohet përfaqësimi i drejtë i të gjitha komuniteteve në shtet.
Momentalisht, në Agjencinë për Administratë janë 10 konkurse të hapura për nëpunës shtetërorë dhe publik.
Konkurset, të cilat janë hapur, pasi me balancues është përcaktuar se cila duhet të jetë përkatësia etnike e administratorit të ardhshëm, me vendimin e Kushtetueses kanë mbetur në udhëkryq.
Lista e shpalljeve për nëpunës shtetërorë dhe publik | |||
Institucioni | Vendi i punës | Kombësia | |
1. | Ndërmarrja Publike për Kryerjen e Punëve Komunale Jegunovcë | Bashkëpunëtor i ri për burime njerëzore | Maqedonase |
2. | Komuna e Rosomanit | Bashkëpunëtor i lartë për çështje normative dhe juridike | Maqedonase |
3. | Komunae Rosomanit | Udhëheqës i Sektorit për Zhvillim Lokal Ekonomik dhe Çështje Komunale | Maqedonase |
4. | Komuna e Rosomanit | Referent i pavarur | Maqedonase |
5. | Komuna e Zhelinës | Bashkëpunëtor i ri për dokumentacion teknik për furnizime publike | Shqiptare |
6. | Komuna e Gostivarit | Bashkëpunëtor i ri për zbatimin e politikave për cilës | Shqiptare |
7. | Komuna e Gostivarit | Udhëheqës i Sektorit për Furnizime Publike | Shqiptare |
8. | Komuna e Gazi Babës | Referent i pavarur për punë administrative | Maqedonase |
9. | Komuna e Gazi Babës | Referent i pavarur për administrim të dokumenteve | Shqiptare |
10. | NP “Niskogradba” – Manastir | Referent – arkëtar | Maqedonase |
Institucionet komunale të cilat, momentalisht kërkojnë kuadro për burime njerëzore, juristë, udhëheqës sektorësh dhe referentë për administrim të dokumenteve dhe furnizime publike, nuk dihet nëse pas vendimit të Kushtetueses do t’i pezullojnë këto konkurse të hapura sipas balancuesit ose do t’i vazhdojnë, duke e pasur parasysh se disa prej tyre janë në fazë të seleksionimit të kandidatëve.
Partitë në vend kanë garantuar se do të krijojnë zgjidhje ligjore e cila, do ta zëvendësojë instrumentin, i cili ndër vite ka shërbyer për të garantuar se qytetarët e etniteteve të ndryshme, do të përfaqësohen nëpër institucione në mënyrë adekuate.
Megjithatë, e paqartë mbetet edhe fakti se si do të veprohet për vakumin kohor prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese, deri në miratimin e një zgjidhje tjetër, e cila do të duhej që të garantojë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të të gjitha komuniteteve nëpër institucionet shtetërore. Çështja e shfuqizimit të balancuesit tanimë një kohë të gjatë është temë debati, pasi në periudhën e kaluar është keqpërdorur.
Respektivisht, ka pasur shumë raste kur qytetarët rrejshëm janë paraqitur si pjesë e një komuniteti tjetër vetëm për t’u punësuar. Nga ana tjetër, shteti nuk ka mekanizma ligjor këtë për ta parandaluar këtë keqpërdorim.
Kritika ka pasur edhe për qasjen e përparësisë së përkatësisë etnike para cilësisë së kandidatëve. Qëllimi kryesor i këtij instrumenti qe bazohet në Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutë është që të parandalojë diskriminimin në bazë etnike gjatë punësimeve./ Alsat.mk