Xavi drejt rikthimit – emri i tij lidhet me Al Ahli
Pas më shumë se një viti pushim nga futbolli, Xavi Hernandez është gati të rikthehet në pankinë. Ish-trajneri i Barcelonës, i cili u largua nga klubi katalanas në vitin 2024, kishte vendosur të merrte një periudhë pushimi njëvjeçare pas një eksperience intensive në “Camp Nou”. Tani, kjo periudhë ka përfunduar dhe trajneri spanjoll është i hapur për sfidën e radhës.
Sipas mediumit prestigjioz The Athletic, Xavi është një nga kandidatët kryesorë që po shqyrtohen nga klubi arab Al Ahli, në rast se trajneri aktual Matthias Jaissle largohet. Jaissle është lidhur me një kalim të mundshëm te RB Leipzig, dhe nëse kjo lëvizje realizohet, atëherë pozita te Al Ahli do të mbetet bosh.
Përveç Xavit, një tjetër emër që përflitet për këtë post është edhe ai i Ange Postecoglou, ish-trajneri i Tottenham Hotspur.
Xavi nuk është i panjohur për futbollin e Lindjes së Mesme. Përpara se të merrte drejtimin e Barcelonës, ai kishte një përvojë të suksesshme si trajner i Al-Sadd në Katar. Një rikthim në rajon nuk përjashtohet, edhe pse Xavi vazhdon ta ketë prioritet rikthimin në futbollin evropian.
Nëse zgjedh të bashkohet me Al Ahli, Xavi do të ribashkohej me Franck Kessie, mesfushorin që ai e ka pasur nën drejtim edhe te Barcelona.
Megjithatë, burime pranë trajnerit bëjnë të ditur se ai është i gatshëm të presë edhe disa muaj të tjerë për të gjetur projektin e duhur në Evropë. Për këtë arsye, ekziston mundësia që ai të shtyjë rikthimin në stol deri në fillim të vitit 2026.
Flaka
















