Dy miqësore në “Air Albania”, Shqipëria kërkon përgatitje maksimale
Pas përballjeve zyrtare për Botërorin 2026, Kombëtarja shqiptare pritet të zhvillojë dy ndeshje miqësore në muajt në vijim. Njëra do të luhet në shtator, përpara sfidës ndaj Letonisë, ndërsa e dyta në tetor, pas ndeshjes kundër Serbisë.
Sipas burimeve pranë FSHF-së, këto miqësore janë ende në fazën e negociatave dhe si destinacion kryesor shihet Stadiumi “Air Albania” në Tiranë. Duke qenë se shumica e kombëtareve elitare europiane do të jenë të angazhuara në kompeticione zyrtare, rivalët e Shqipërisë në këto teste pritet të jenë ekipe me profil më modest.
Synimi i këtyre ndeshjeve miqësore është testimi i formës dhe ruajtja e ritmit të garës, duke ndihmuar trajnerin Silvinjo në krijimin e balancave të skuadrës. Shqipëria është ende në garë për një vend në Kupën e Botës 2026, dhe çdo ndeshje, zyrtare apo miqësore, shihet si një mundësi e mirë për të ndërtuar unitetin dhe vetëbesimin e ekipit, veçanërisht pas barazimit zhgënjyes ndaj Letonisë.
Ndërkohë, Shqipëria do të përballet me Letoninë në shtator, Serbinë në tetor, ndërsa në nëntor do të luajë ndaj Andorrës dhe Anglisë, dy sfida vendimtare për kualifikimin. Emrat e kundërshtarëve në miqësoret pritet të bëhen publikë në javët e ardhshme.
Flaka
















