Ahmeti kërkon përkrahjen e Ramës për Marrëveshjen e Ohrit
Në kuadër të Konferencës për Bashkimin Europian që po mbahet në Shkup, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, zhvilloi një takim vëllazëror dhe politik me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, njofton Flaka
Ahmeti theksoi rëndësinë e përbashkët të integrimit europian për vendet e rajonit, duke deklaruar se Shqipëria është në një rrugë të pakthyeshme drejt BE-së, ndërsa Maqedonia e Veriut nuk mund të mbetet jashtë këtij procesi.
“E ardhmja europiane e rajonit është e përbashkët, nuk ka ndarje në këtë proces”, u shpreh Ahmeti.
Në fokus të diskutimeve ishin:
- Kërcënimet serioze ndaj Marrëveshjes së Ohrit;
- Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut;
- Forcimi i raporteve bilaterale mes Shkupit dhe Tiranës.
Ahmeti e përshkroi takimin si një bisedë të sinqertë dhe të thellë politike, ku theksi u vu në barazinë dhe përfshirjen, si shtylla themelore për një të ardhme të përbashkët në Bashkimin Europian.
Në fund, ai falënderoi Kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e vazhdueshme që i jep çështjes shqiptare dhe rrugës europiane të Maqedonisë së Veriut. Flaka















