ASH: Ligji i ri për lojërat e fatit i dorëzon pushtetin qeverisë – VLEN s’përmbushi asnjë premtim
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj versionit të ri të Ligjit për lojërat e fatit, i cili pritet të miratohet në ditët në vijim nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe më pas të kalojë në procedurë parlamentare. Sipas ASH-së, ligji i ri jo vetëm që nuk i freron lojërat e fatit, por centralizon edhe më tej pushtetin në duart e qeverisë, duke ia dhënë ekskluzivisht kompetencën për shpërndarjen e licencave, tranemeton Flaka
Në një komunikatë për media, Aleanca thekson se grupimi VLEN ka dështuar t’i përfshijë në ligj zotimet e veta elektorale për ndalimin e lojërave të fatit, dhe se në vend të reformave, po ndërtohet një sistem që favorizon krijimin e një monopoli shtetëror.
“VLEN, në vend që të ndalë lojërat e fatit, ia ka dorëzuar gjithë kontrollin qeverisë për t’i shpërndarë licencat sipas interesave të saj,” – thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
ASH citon nenin 116 të projektligjit, ku thuhet se: “Lojërat e fatit nëpërmjet internetit organizohen në bazë të licencës për organizimin e lojërave të fatit në internet, e cila jepet nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bazë të një kërkese të dorëzuar pranë Ministrisë së Financave, pas marrjes paraprake të mendimit nga Ministria për Transformim Digjital.”
Sipas Aleancës, kjo do të thotë që vendimmarrja është përqendruar tërësisht në duart e ekzekutivit, pa kontroll të jashtëm, pa rregulla të qarta konkurruese dhe pa transparencë.
“Deklaratat pompoze të Izet Mexhitit për ‘mbylljen e lojërave të fatit në internet’ po rezultojnë një bllof i madh politik,” – thuhet më tej në kumtesë, ku shtohet se mbyllja e disa platformave ilegale ishte vetëm alibi për krijimin e një monopoli shtetëror, përmes një kompanie ku “Mexhiti ka pozicionuar njerëzit e tij të besuar”.
ASH kërkon sqarime nga VLEN për pjesëmarrjen e saj në këtë proces, dhe pyet nëse përfaqësuesit shqiptarë në qeveri janë fare në dijeni për përmbajtjen e ligjit që po përgatitet nga VMRO-DPMNE.
“Apo VLEN nuk pyetet për asgjë dhe thjesht bën kuorumin, duke ndjekur urdhrat e partnerëve të saj maqedonas?” – pyet Aleanca për Shqiptarët.
Në fund të reagimit, ASH thekson se qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të ndihen të mashtruar, nëse një fushatë e tërë për “shuarjen e kazinove” ka përfunduar në ndërtimin e një monopoli shtetëror me licenca politike.
“VLEN nuk është duke qeverisur – është duke zbatuar urdhra nga patronët. Ky është realiteti. Dhe qytetarët nuk mund të manipulohen më me propagandë boshe,” – përfundon reagimi. Flaka
















