Taravari: Partneriteti pa barazi është robëri me buzëqeshje të ngrira
Në një deklaratë politike, Arben Taravari ka dhënë një mesazh që vështirë të shpërfillet në realitetin aktual politik në Maqedoninë e Veriut, shkruan Flaka
“Partneriteti pa barazi është robëri e maskuar me shtrëngime duarsh e buzëqeshje të ngrira,” – ka deklaruar Taravari, duke nënvizuar se bashkëpunimet që nuk bazohen në respekt të ndërsjellë dhe përfaqësim të barabartë, janë thjesht një formë e re e nënshtrimit politik.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, ka shtuar se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të kënaqen me “pozita dekorative apo fotografia me partnerët qeveritarë”, nëse pas atyre pamjeve fshihet diskriminimi institucional dhe përjashtimi nga vendimmarrja reale.
“S’bëhet se nuk vlen!” – ka përfunduar Taravari, duke lënë të kuptohet se heshtja ndaj kësaj gjendjeje do të ishte një tradhti ndaj elektoratit shqiptar dhe interesave të tij të mirëfillta.
Deklarata e Taravarit vjen në një moment kur tensionet për përfaqësimin e shqiptarëve në qeveri janë rritur, dhe gjithnjë e më shumë zëra nga opozita po kërkojnë një qasje më të barabartë dhe më të drejtë në raportet me partnerët maqedonas në pushtet. Flaka
















