I dënuari për krime lufte ndaj shqiptarëve, Johan Tarçullovski, punësohet si përmbarues në Dogana
Johan Tarçullovski, i dënuar për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut, është punësuar së fundmi në Doganat e Shkupit në rolin e përmbaruesit.
Tarçullovski, ish-bashkëpunëtor i ngushtë i ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme, Ljube Boshkovski, u bë i njohur për opinionin shqiptar dhe ndërkombëtar pas shpalljes fajtor nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Ai u dënua me 12 vite burg për krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasjen e gjashtë civilëve shqiptarë, tortura, shkelje të ligjeve të luftës dhe shkatërrim të pasurisë civile në fshatin Luboten.
Ndërkohë që Boshkovski u lirua nga aktakuza, Tarçullovski mbeti i vetmi i dënuar nga pala maqedonase për krimet e kryera gjatë konfliktit të armatosur.
Punësimi i tij në një institucion shtetëror, siç janë Doganat, ka ngjallur reagime dhe shqetësim të madh në opinionin publik, veçanërisht mes komunitetit shqiptar në vend. Ky zhvillim vjen në një kohë kur temat e drejtësisë tranzicionale dhe pajtimit etnik mbeten ende të pazgjidhura në shoqërinë maqedonase. Flaka

















