Maqedonisë së Veriut po i digjen kufijtë – Rrezik në brezin kufitar me Kosovën dhe Greqinë
Maqedonia e Veriut po përballet me një situatë të rëndë zjarresh përgjatë kufijve të saj, teksa për të tretën ditë me radhë vazhdon zjarri afër fshatit Nikoliq në Komunën e Dojranit, i cili tashmë është përhapur edhe në territorin grek, si dhe me riaktivizimin e zjarrit në kufirin me Republikën e Kosovës, pranë Bllacës.
Sipas informacioneve zyrtare, zjarri në Dojran ka kaluar kufirin dhe po shuhet nga forcat zjarrfikëse greke, përfshirë 60 zjarrfikës, 17 automjete, dy aeroplanë të tipit Canadair CL-415 dhe një helikopter, ndërsa mbështetje po jepet edhe nga autoritetet lokale me cisterna dhe mjete ndihmëse. Ndërhyrja ajrore u realizua pas kërkesës së drejtuar nga Qendra për Menaxhim me Kriza e Maqedonisë së Veriut.
Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri është riaktivizuar sot pranë Bllacës, në kufirin me Kosovën. Zjarri përfshiu sipërfaqe të pyllëzuara dhe është afruar rrezikshëm pranë vijës kufitare, duke rrezikuar përhapjen në të dy anët. Ekipet zjarrfikëse janë në terren dhe po bëjnë përpjekje për ta vendosur situatën nën kontroll, ndërsa autoritetet janë në koordinim të vazhdueshëm me palën kosovare për të parandaluar përkeqësimin e situatës.
Valët e të nxehtit dhe era po e përkeqësojnë gjendjen në të dy rajonet kufitare, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo vatër të re zjarri. Flaka
















