Weiz paralajmëron qeverinë : Mos manipuloni raportin për të shmangur ndryshimet kushtetuese
Eurodeputeti Thomas Weiz i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të mos manipulojë me përmbajtjen e raportit të Parlamentit Evropian si justifikim për të bllokuar ose zvarritur rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Nuk duhet lejuar që vërejtjet e eurodeputetëve bullgarë dhe heqja e formulimit ‘gjuha dhe identiteti maqedonas’ të përdoren si pretekst për të bllokuar procesin,” deklaroi Weiz, autor i raportit të PE-së për vendin, duke shtuar se dokumenti pasqyron qartë mbështetjen e shumicës në Parlamentin Evropian për integrimin e Maqedonisë së Veriut.
Sipas tij, ndryshimet kushtetuese janë një kusht i panegociueshëm për hapjen e negociatave të vërteta të anëtarësimit dhe nuk ka asnjë bazë për të mos u zbatuar. “Kjo është marrëveshje e nënshkruar mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian. Tashmë është momenti që ajo të realizohet,” theksoi ai.
Weiz gjithashtu zbuloi se pas publikimit të raportit ka qenë objekt i sulmeve dhe shpifjeve nga qarqet e ekstremit të djathtë, të cilët kanë shpërndarë numrin e tij personal në grupe Telegrami, duke i dërguar kërcënime të drejtpërdrejta.
“Shpresoj që Qeveria në Shkup do të ketë guximin të përmbushë detyrimet që ka marrë,” përfundoi Weiz.
















