Besa Kadriu kundër promovimit të donacionit serb në Tetovë: “Dinjiteti nuk është për shitje”
Këshilltarja komunale dhe ish-aktivistja e Lëvizjes Besa, Besa Kadriu, ka reaguar ashpër pas promovimit publik të një donacioni të ardhur nga Serbia, i prezantuar nga përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në Tetovë. Në një deklaratë publike, Kadriu ka akuzuar pushtetin aktual për nënshtrim simbolik dhe politik të shqiptarëve përmes projekteve të mbështetura nga shtete që tradicionalisht kanë qenë kundër interesave të tyre.
“Sot, përfaqësues të Qeverisë së RMV-së, të udhëhequr nga një orientim antishqiptar, guxuan të flasin në emër të Komunës së Tetovës – duke promovuar një ‘donacion’ të ardhur nga Serbia, një shtet që tradicionalisht është armiku i shqiptarëve,” deklaroi Kadriu.
Ajo e cilësoi këtë ngjarje jo si një rastësi të izoluar, por si pjesë të një skenari më të gjerë me pasoja politike:
“Kjo nuk është rastësi – është skenar. Bashkimi Evropian e tha qartë: ndikimi i bllokut serb është alarm për vendin dhe demokracinë.”
Në reagimin e saj, Kadriu shprehu shqetësim për përdorimin e simboleve fetare në funksion të propagandës politike, duke paralajmëruar se ky diskurs tenton të ngatërrojë opinionin publik dhe të ulë vigjilencën qytetare.
“Ngatërrojnë kultet fetare me kalkulime politike ditore, për të fshehur qëllimin e vërtetë: nënshtrimin simbolik dhe politik të shqiptarëve.”
Në përfundim, Kadriu lëshoi një mesazh të drejtpërdrejtë për qytetarët:
“Tetova nuk është dekor për propagandë. Shqiptarët nuk janë spektatorë. Ne jemi faktorë, me zë të qartë politik, me histori dhe dinjitet që nuk blihet me ‘dhurata’ mashtruese. Dinjiteti nuk është për shitje!”
















