Ter Stegen në operacion – Barcelona në pritje të raportit mjekësor
Kapiteni dhe portieri i FC Barcelonës, Marc-André ter Stegen, ka konfirmuar se marrëdhënia e tij me klubin mbetet e mirë, pavarësisht raportimeve për tensione të brendshme. Ai është nisur drejt Bordosë, Francë, ku do t’i nënshtrohet një operacioni në shpinë të martën, nga mjekja e njohur Amelie Leglise, për të trajtuar dhimbjen e vazhdueshme që e ka penguar gjatë fazës përgatitore.
Ter Stegen ka deklaruar se do të mungojë për tre muaj, por ekspertët mjekësorë dhe stafi i Barcelonës parashikojnë një rikuperim më të gjatë, deri në katër muaj, çka mund të aktivizojë rregullin e dëmtimeve në La Liga, duke i lejuar klubit të përdorë 80% të pagës së tij për regjistrimin e lojtarëve të rinj.
Sipas Diario AS, portieri gjerman ka udhëtuar i vetëm, duke refuzuar shoqërimin nga stafi i klubit, gjë që ka shtuar dyshimet për mosmarrëveshje të brendshme. Po ashtu, Barcelona nuk mund të publikojë detaje mjekësore pa lejen e lojtarit, duke e bërë të vështirë sqarimin publik të kohës së rikuperimit.
Klubi pritet të dorëzojë një raport zyrtar mjekësor në La Liga, i cili do të shqyrtohet për të vendosur nëse Barcelona mund të përfitojë nga rregulli financiar për dëmtimet afatgjata.
Flaka
















