Drejtoresha e shkollës kallëzohet penalisht – Punësoi vajzën si mësuese matematike, pa kualifikim
Një rast i rëndë i keqpërdorimit të pozitës zyrtare është raportuar në një shkollë fillore në komunën e Vinicës. Zyra e jashtme për punë kriminalistike në Vinicë ka ngritur kallëzim penal ndaj G.S. (45), drejtoreshë e një shkolle fillore në këtë qytet, për veprën penale “mospërgjegjësi në kryerjen e detyrës zyrtare”.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 27 janar 2025, e kallëzuara ka punësuar vajzën e saj, S.S., në të njëjtën shkollë ku ushtron funksionin e drejtoreshës, në pozitën e mësueses së matematikës, pavarësisht se kjo e fundit nuk kishte kualifikimet e nevojshme arsimore për atë vend pune.
“Përmes këtij akti, është shkaktuar dëm financiar ndaj buxhetit të shkollës në vlerë prej 245.666 denarësh, në emër të pagave të paguara për punësimin e paligjshëm,” njofton MPB.
Rasti ka shkaktuar reagime në opinionin lokal, veçanërisht për shkak të natyrës familjare të përfitimit dhe shkeljes së rëndë të procedurave ligjore për punësim në institucione arsimore publike.
Hetimet janë në vijim dhe autoritetet kompetente kanë bërë të ditur se rasti do të trajtohet sipas të gjitha normave ligjore në fuqi. Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse do të ketë pasoja disiplinore apo masa shtesë për funksionaren në fjalë. Flaka
















