Real Madrid zyrtarizon talentin argjentinas Mastantuono – kontratë deri në 2031
Në një ditë historike për klubin dhe për vetë lojtarin, Franco Mastantuono është prezantuar zyrtarisht si futbollist i Real Madridit, duke nënshkruar një kontratë gjashtëvjeçare që zgjat deri në qershor 2031. Transferimi nga River Plate u finalizua për një shumë prej €45 milion, me vlerën totale të marrëveshjes që arrin në €63.2 milion, duke e bërë atë një nga transferimet më të mëdha në historinë e futbollit argjentinas.
Prezantimi u zhvillua sot më 14 gusht 2025, pikërisht në ditën kur Mastantuono mbushi 18 vjeç, duke i dhënë mundësinë të nënshkruajë kontratën dhe të bashkohet me ekipin e parë nën drejtimin e Xabi Alonso.
Deklaratat e Mastantuono:
“Ëndrra ime u bë realitet sot. Ky është klubi më i madh i të gjitha kohërave dhe jam shumë i lumtur. Premtoj se do të jap gjithçka për këtë fanellë. Me mua, do të keni një tifoz të Real Madridit që luan për ju në fushë.”
Ai falënderoi presidentin Florentino Pérez, Juni Calafat, si dhe familjen e tij në Argjentinë, duke theksuar mbështetjen që ka marrë gjatë rrugëtimit të tij. Mastantuono u shpreh se kujtimi i parë që ka për Real Madridin është fitimi i trofeve të Champions League, dhe se gjithmonë ka ëndërruar të luajë për këtë klub.
Profili i lojtarit:
- Pozicioni: Mesfushor ofensiv / sulmues krahu
- Këmbë dominante: E majta
- Pozicioni i preferuar: Krahu i djathtë
- Numri i fanellës: 30
Mastantuono është krahasuar me legjendën Alfredo Di Stefano, duke ndjekur rrugën nga River Plate drejt Real Madridit. Ai është lojtari më i ri që ka shënuar për River dhe më i riu që ka luajtur për kombëtaren argjentinase në një ndeshje zyrtare.
Flaka
















