Bayern gati e rrëmbeu Lamine Yamal nga Barça në vitin 2022
Lamine Yamal, 18-vjeçari që sot konsiderohet një nga favoritët kryesorë për Topin e Artë, ka qenë dikur shumë pranë një transferimi surprizues nga Barcelona te Bayern Munich.
Sipas gazetarit gjerman Christian Falk (BILD), në vitin 2022 Bayern ishte gati të nënshkruante me talentin spanjoll për vetëm 4.3 milionë paund. Delegacioni bavarez, i udhëhequr nga Hasan Salihamidzic dhe Marco Neppe, kishte shkuar fillimisht për të diskutuar një marrëveshje për Gavi, por objektivi i vërtetë ishte Yamal.
Skautët e Bayern prezantuan video të lojtarit 14-vjeçar në atë kohë, duke mahnitur drejtuesit me aftësitë e tij teknike dhe lëvizjet sulmuese. Pas një darke me agjentin Ivan de la Peña, bavarezët shprehën dëshirën për të takuar menjëherë prindërit e Yamal.
Pak më vonë, përfaqësimin e tij e mori Jorge Mendes, i cili vendosi një çmim prej 5 milionë eurosh. Por zhvillimi i shpejtë i lojtarit dhe debutimi i tij me Barcelonën në vitin 2023 e bënë të pamundur transferimin.
Sot, Yamal është kampion i La Ligës dhe fitues i Euro 2024 me Spanjën, me një kontratë të re që e mban te Barça deri në vitin 2031. Në këtë sezon ai ka shënuar 2 gola në 3 ndeshje të La Ligës dhe ka arritur 6 gola ndërkombëtarë para se të mbushte 18 vjeç.
Flaka
















