Derbi në Etihad ndez spekulimet për të ardhmen e Amorim
Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, mund të ketë një mundësi për t’i dhënë fund periudhës së vështirë në “Old Trafford”. Sipas raportimeve, kandidati kryesor për presidencën e Benficas, João Noronha Lopes, ishte i pranishëm në “Etihad Stadium” të dielën për të ndjekur derbin mes Manchester City-t dhe United, i cili përfundoi me humbjen 3-0 të “Djajve të Kuq”.
Prania e tij në stadium, së bashku me ish-sulmuesin e Portugalisë dhe kandidatin për nënkryetar të klubit, Nuno Gomes – një mik i ngushtë i Amorim – ka shtuar zërat për një rikthim të mundshëm të trajnerit portugez në klubin ku ai ka luajtur për nëntë vite si futbollist.
Edhe pse Noronha Lopes ka mohuar se ka zhvilluar bisedime direkte me Amorim, ai ka pranuar publikisht se e sheh atë si trajner të Benficas “një ditë” në të ardhmen. Aktualisht, Bruno Lage është në krye të skuadrës portugeze, por kontrata e tij përfundon në fund të sezonit dhe e ardhmja e tij mbetet e pasigurt.
Ndërkohë, Manchester United po kalon fillimin më të dobët të sezonit në 33 vitet e fundit, me vetëm katër pikë në katër ndeshjet e para të Premier League, duke shtuar presionin mbi Amorim, i cili ka kontratë deri në qershor 2027.
Flaka
















