Portokalli, fruti që mbron zemrën, eshtrat dhe shëndetin mendor
Portokalli është një nga frutat më të dobishme për organizmin, falë përmbajtjes së tij të pasur me fibra, vitamina dhe minerale. Fibrat e portokallit ndihmojnë në kontrollin e sheqerit në gjak dhe uljen e kolesterolit, duke parandaluar kështu sëmundjet kardiovaskulare.
Ky frut përmban rreth 55 mg kalcium (6% e nevojave ditore), i rëndësishëm për forcimin e eshtrave. Përbërja e tij kryesore është uji dhe karbohidratet, me pak proteina e yndyrë, duke e bërë një ushqim me kalori të ulëta.
Portokalli është i pasur me vitaminë C, folate, kalcium dhe vitaminë B1, ndërsa antioksidantët karotenoidë që gjenden tek agrumet (portokalli, limoni, grejpfruti) ndihmojnë në mbrojtjen e organizmit dhe japin ngjyrën e tyre të ndezur. Studimet tregojnë se pirja e lëngut të freskët të portokallit rrit nivelet e karotenoidëve në lëkurë, duke reflektuar vlerat ushqyese të trupit.
Një studim i publikuar në revistën “BMC Microbiome” ka zbuluar se konsumimi i agrumeve mund të ulë rrezikun e depresionit me rreth 20%. Analiza e mbi 32,500 grave dhe 300 burrave tregoi se konsumimi i përditshëm i agrumeve rrit praninë e bakterit Faecalibacterium prausnitzii, i cili redukton inflamacionin dhe lidhet me shëndet më të mirë mendor.
Ekspertët rekomandojnë konsum të rregullt të agrumeve, veçanërisht gjatë sezonit kur janë të freskëta, për të mbështetur sistemin imunitar, shëndetin e zemrës, tretjen dhe mirëqenien mendore.
Flaka
















