Luka Modric emocionon në ‘Gazzetta Awards’: “Milano më ka pritur më mirë se sa prisja”
Mesfushori kroat Luka Modric, i cili këtë sezon po shkëlqen me fanellën e Milanit të Massimiliano Allegri-t, ka ndarë emocionet e tij të para në Itali gjatë fjalës në skenën e ‘Gazzetta Awards’. Ai u shpreh se po e shijon në maksimum këtë etapë të re të karrierës dhe se përshtatja në Milano ka qenë më e lehtë se sa e kishte menduar.
Modric: “Ndihem shumë mirë, më pëlqen ajo që bëj. Jam mirë fizikisht dhe mendërisht, po argëtohem dhe gjithçka po shkon si duhet. Shpresoj të vazhdoj kështu.”
Kroati foli edhe për aventurën e tij në Serie A, duke e cilësuar kampionatin italian si tepër konkurrues dhe një ëndërr të hershme që më në fund po e realizon me Milanin.
Ai nuk kurseu fjalët pozitive për trajnerin Massimiliano Allegri: “Është një trajner i madh, një fitues. Më ka befasuar për personalitetin e tij. Më pëlqen të punoj me të, sepse di si të menaxhojë kampionët e mëdhenj.”
Botërori 2026 dhe Italia
I pyetur për situatën e vështirë të Italisë, që ndodhet në playoff për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026, Modric u shpreh i drejtpërdrejtë: “Do të ishte një tragjedi të mungonte përsëri në Botëror, për të tretën herë radhazi. Shpresoj shumë që Italia të kualifikohet, sepse në atë turne duhet të jenë të gjitha skuadrat më të mira.”
Flaka
















