Çfarë ndodh me organizmin gjatë urisë? Efektet pozitive dhe rreziqet që duhen ditur
Kur organizmi nuk merr ushqim për një periudhë të gjatë kohore, ai hyn në një gjendje stresi biologjik. Fillimisht, trupi sekreton adrenalinë, duke reaguar sikur është i sulmuar, dhe nis të përdorë rezervat emergjente të energjisë.
Megjithatë, brenda më pak se 24 orësh, rezervat e sheqerit (glikogjenit) në mëlçi shterojnë. Si pasojë, organizmi fillon të shfrytëzojë proteinat nga muskujt për të prodhuar energji, një proces që mund të shkaktojë kokëdhembje, marramendje, lodhje dhe ndjesi të të ftohtit tek disa persona.
Nga ana tjetër, gjatë urisë ndodhin edhe ndryshime pozitive në tru. Substanca kimike serotoninë, e lidhur me ndjenjën e mirëqenies, vepron më gjatë në tru. Për këtë arsye, shumë persona që agjërojnë për disa ditë raportojnë se ndihen më të qetë dhe më mirë emocionalisht.
Sipas disa të dhënave, uria mund të kontribuojë në normalizimin e shtypjes së gjakut dhe të nivelit të sheqerit në gjak. Gjithashtu, ajo ndihmon në humbjen e peshës trupore, megjithëse në shumicën e rasteve kilogramët e humbur rikthehen sapo personi i kthehet regjimit të zakonshëm ushqimor.
Ekspertët paralajmërojnë se, përpara se të fillohet ndonjë dietë rigoroze apo agjërim i zgjatur, është e domosdoshme të bëhet konsultim me mjekun, veçanërisht për personat me probleme shëndetësore.
Flaka
















