Studimi zbulon: Kafeja mund të mbrojë dëgjimin te burrat
Për shumë njerëz, kafeja është pjesë thelbësore e rutinës së përditshme – qoftë si pija e parë në mëngjes apo një kënaqësi gjatë ditës. Tani, një studim i fundit sugjeron se pirja e përditshme e kafesë mund të ketë një ndikim pozitiv të papritur në shëndetin e dëgjimit, veçanërisht te burrat.
Studiuesit kanë zbuluar se burrat që pinin të paktën një kafe në ditë kishin rreth 15 për qind më pak gjasa të përjetonin humbje dëgjimi, krahasuar me ata që nuk konsumonin kafe.
Duke analizuar të dhëna nga pothuajse 37 mijë persona, burra dhe gra, studimi tregoi se kafeja mund të kontribuojë në ruajtjen e dëgjimit falë vetive të saj anti-inflamatore dhe antioksidantëve që përmban.
Megjithatë, studiuesit nuk gjetën lidhje të qartë mes konsumit të kafesë dhe dëgjimit te gratë. Sipas ekipit hulumtues, kjo mund të shpjegohet me ndryshimet fiziologjike, pasi nivelet më të larta të estrogjenit tek gratë ofrojnë mbrojtje natyrore kundër humbjes së dëgjimit të lidhur me moshën, duke e bërë ndikimin e dietës më pak të dukshëm.
Dëgjimi i pjesëmarrësve u vlerësua në fillim të studimit dhe më pas në dy teste të tjera, ndërsa në analizë u morën parasysh edhe faktorë të tjerë shëndetësorë dhe të stilit të jetesës.
Rezultatet treguan se burrat që konsumonin nga një deri në katër filxhanë e gjysmë kafe në ditë kishin rrezik më të ulët për humbje dëgjimi, duke sugjeruar se konsumi i moderuar i kafesë mund të ketë përfitime shtesë për shëndetin.
Flaka
















