Rosenior me mesazh të fortë për tifozët e Chelsea-t: “Besoni dhe do të fitojmë”
Liam Rosenior ka nisur zyrtarisht kapitullin e tij të ri te Chelsea, duke iu drejtuar drehëpërdrejt tifozëve me një mesazh të qartë: besim, energji dhe fitore.
Trajneri i ri i “Bluve” theksoi rëndësinë e mbështetjes së tifozëve, duke e quajtur Chelsean një klub futbolli të jashtëzakonshëm dhe duke kërkuar unitet mes stafit, lojtarëve dhe tribunave.
“Besoni. Besoni te klubi, besoni te lojtarët. Kur u jepni energji ekipit, i ndihmoni të fitojnë,” u shpreh Rosenior, duke nënvizuar se kjo është arsyeja pse ai dhe stafi i tij janë në klub.
Rosenior premtoi një stil loje me ritëm të lartë, agresiv dhe sulmues, duke synuar që tifozët në “Stamford Bridge” të jenë vazhdimisht në këmbë. “Dua intensitet, guxim dhe futboll pa frikë, që të kemi një kohë vërtet të bukur së bashku,” shtoi ai.
Trajneri anglez theksoi gjithashtu ambicien e tij personale për t’u kujtuar si një trajner fitues, duke nënvizuar se suksesi vjen nga puna kolektive e gjithë klubit.
“Dua të jem këtu për një kohë të gjatë. E di që duhet të fitojmë në afat të shkurtër, për të ndërtuar suksesin afatgjatë,” përfundoi Rosenior.
Flaka
















