Fëmijët flenë pak dhe shtojnë peshë: Alarm nga studimi britanik
Mijëra fëmijë po flenë më pak se sa rekomandohet dhe, si pasojë, po rrisin ndjeshëm rrezikun për mbipeshë dhe probleme shëndetësore. Këto janë gjetjet e një anketimi të Fondacionit të Nutricionit Britanik (BNF), i cili ka përfshirë mbi 6,000 fëmijë të moshave shkollore.
Sipas të dhënave, 32% e nxënësve të shkollës fillore dhe 70% e nxënësve të shkollës së mesme flenë më pak se nëntë orë në natë, që është sasia minimale e rekomanduar për këtë grupmoshë. Për më tepër, gjysma e nxënësve të shkollës së mesme kanë raportuar se u ndërpritet gjumi të paktën një herë gjatë natës.
Anketimi ka analizuar edhe zakonet ushqimore të fëmijëve, duke zbuluar një lidhje të fortë mes mungesës së gjumit dhe ushqimit jo të shëndetshëm. Një pjesë e konsiderueshme e nxënësve të shkollës së mesme dhe 1 në 10 nxënës të shkollës fillore kanë deklaruar se e anashkalojnë mëngjesin, kryesisht për shkak të lodhjes dhe problemeve me gjumin.
Si rrjedhojë, shumica e tyre vuajnë nga mungesa e vlerave ushqyese esenciale. Vetëm 18% e nxënësve të shkollës së mesme kanë raportuar se konsumojnë pemë ose perime në shujtën e parë të ditës.
Një tjetër faktor shqetësues është përdorimi i pajisjeve elektronike para gjumit. 59% e nxënësve të shkollës së mesme dhe 49% e nxënësve të shkollës fillore kanë pranuar se përdorin telefona, tableta apo pajisje të tjera elektronike para se të flenë. Studiuesit besojnë se kjo praktikë ndikon drejtpërdrejt në uljen e cilësisë së gjumit.
Ekspertët theksojnë se mungesa dhe cilësia e dobët e gjumit ndikojnë negativisht në mënyrën se si të rinjtë ushqehen, duke i shtyrë ata drejt konsumimit të më shumë kalorive dhe ushqimeve të pashëndetshme. Studime të mëhershme kanë treguar gjithashtu se mungesa e gjumit i bën fëmijët më pak aktivë fizikisht dhe më të rrezikuar nga mbipesha.
Flaka
















