Çfarë i bën alkooli trupit tuaj? Ja si përthithet dhe si vepron
Edhe pse alkooli është pjesë e përditshmërisë për shumë njerëz, ndikimi i tij real në trupin e njeriut mbetet shpesh i nënvlerësuar. Ekspertët theksojnë se efekti i alkoolit varet nga sasia e konsumuar, shpejtësia e pirjes dhe mënyra se si trupi e përthith dhe e përpunon atë.
Një “pije standarde” përkufizohet si një sasi që përmban rreth 14 gramë alkool të pastër. Sa më e madhe të jetë sasia e konsumuar, aq më i fortë është ndikimi i saj në organizëm.
Si përthithet alkooli në trup?
Pasi konsumohet, alkooli fillon të përthithet menjëherë. Një pjesë e vogël absorbohet përmes enëve të gjakut në gojë, ndërsa rreth 20 përqind përthithet në stomak. Pjesa më e madhe, 75 deri në 85 përqind, përthithet në zorrën e hollë dhe më pas shpërndahet në të gjithë trupin përmes qarkullimit të gjakut.
Alkooli transportohet në të gjitha organet derisa mëlçia ta zbërthejë atë. Mëlçia luan një rol kyç në detoksifikim, duke përpunuar rreth 80 deri në 90 përqind të alkoolit të konsumuar dhe duke e shndërruar atë në ujë, dioksid karboni dhe energji. Mesatarisht, trupit i nevojitet rreth një orë për të zbërthyer ekuivalentin e një pijeje standarde.
Roli i veshkave dhe mushkërive
Veshkat filtrojnë gjakun dhe nxjerrin një pjesë të alkoolit përmes urinës, gjë që çon në humbje të lëngjeve dhe dehidratim. Rreth 10 përqind e alkoolit ekskretohet në këtë mënyrë, ndërsa mushkëritë nxjerrin deri në 8 përqind përmes frymëmarrjes. Një sasi e vogël avullohet edhe përmes lëkurës.
Efekti në tru
Alkooli arrin në tru shumë shpejt, zakonisht brenda 5 deri në 10 minutave nga konsumimi. Atje, ai ndikon në funksionet nervore, duke shkaktuar luhatje humori, gjykim të dëmtuar, probleme me koordinimin dhe, në raste të caktuara, dëmtime të kujtesës.
Alkooli dhe shtatzënia
Tek gratë shtatzëna, alkooli kalon përmes placentës dhe arrin drejtpërdrejt te fetusi. Meqenëse fetusi nuk është në gjendje ta zbërthejë alkoolin, ekspozimi ndaj tij mund të shkaktojë pasoja serioze në zhvillimin e fetusit. Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë shmangien totale të alkoolit gjatë gjithë shtatzënisë.
Pse alkooli është më i rrezikshëm me stomak bosh?
Shpejtësia e përthithjes së alkoolit ndryshon nga personi në person. Gratë, të rinjtë dhe personat me peshë trupore më të ulët e absorbojnë alkoolin më shpejt, ndërsa gjendja e mëlçisë luan rol të rëndësishëm në zbërthimin e tij.
Kur ka ushqim në stomak, alkooli përthithet më ngadalë. Në të kundërt, konsumimi me stomak bosh lejon që alkooli të arrijë shpejt në zorrën e hollë, duke rritur ndjeshëm efektet negative. Pirja e sasive të mëdha me stomak bosh rrit rrezikun e helmimit, lëndimeve serioze dhe, në raste ekstreme, edhe vdekjes.
Flaka
















