Studimet: Konsumimi i fibrave ul rrezikun e demencës
Fibrat ushqimore nuk janë të rëndësishme vetëm për tretjen dhe kontrollin e peshës trupore, por luajnë një rol kyç edhe në mbrojtjen e trurit dhe ruajtjen e aftësive mendore me kalimin e moshës. Këtë e konfirmojnë studime të reja shkencore, të cituara nga BBC, të cilat tregojnë se shumica e njerëzve ende nuk konsumojnë sasinë e rekomanduar ditore të fibrave.
Dieta e pasur me drithëra të plota, fruta, perime, bishtajore, arra dhe fara sjell përfitime të mëdha si për trupin, ashtu edhe për trurin. Sipas ekspertëve, fibrat ndikojnë drejtpërdrejt në mikrobiomën e zorrëve dhe në boshtin e komunikimit zorrë–tru, duke ndihmuar në ngadalësimin e rënies së aftësive njohëse.
“Rritja e marrjes së fibrave është një nga ndryshimet ushqimore me ndikimin më të madh për shëndetin e aftësive njohëse”, ka deklaruar Karen Scott, profesoreshë e mikrobiologjisë së zorrëve në Institutin Rowett, Universiteti i Aberdeenit. Ajo thekson se mungesa e fibrave lidhet ngushtë me një sërë sëmundjesh kronike.
Të dhënat tregojnë se mungesa e fibrave është shumë e përhapur. Në Shtetet e Bashkuara, rreth 97 për qind e burrave dhe 90 për qind e grave nuk e arrijnë sasinë e rekomanduar ditore, ndërsa në Britani mbi 90 për qind e të rriturve vuajnë nga mungesa e fibrave.
Fibrat janë karbohidrate që nuk shpërbëhen nga enzimat tretëse dhe kalojnë pothuajse të pandryshuara nëpër zorrë. Ato ndihmojnë në ndjenjën e ngopjes, rregullojnë nivelin e sheqerit në gjak dhe lidhen me indeks më të ulët të masës trupore. Dieta e pasur me fibra lidhet gjithashtu me jetëgjatësi më të madhe.
Sipas profesor John Cummings nga Universiteti i Dundee, personat që konsumojnë më shumë fibra kanë 15 deri në 30 për qind rrezik më të ulët për vdekje. Konsumimi i rreth 30 gramëve fibra në ditë ul rrezikun për sëmundje të zemrës, goditje në tru, diabet të tipit 2 dhe kancer të zorrës së trashë.
Rol të rëndësishëm luan mikrobioma e zorrëve. Gjatë fermentimit të fibrave, bakteret prodhojnë substanca të dobishme si butirati, i cili ndihmon në mbrojtjen e murit të zorrëve dhe pengon kalimin e substancave të dëmshme drejt trurit.
Studime të fundit kanë treguar se personat me konsum më të lartë fibrash kanë rrezik më të ulët për demencë, ndërsa marrja e përditshme e fibrave prebiotike është lidhur me përmirësim të rezultateve në testet njohëse.
Ekspertët rekomandojnë rritjen e konsumit të ushqimeve bimore, veçanërisht bishtajoreve, drithërave integrale, frutave, arrave dhe farave. Në raste të caktuara, fibrat mund të merren edhe përmes suplementeve.
“Rritja e marrjes së fibrave është ndoshta gjëja më e dobishme që njerëzit mund të bëjnë për shëndetin e tyre të përgjithshëm”, përfundon Scott.
Flaka
















