Raphinha: E meritoja Topin e Artë, renditja më zhgënjeu
Ylli brazilian i Barcelonës, Raphinha, ka shprehur hapur zhgënjimin e tij për renditjen në garën për Topin e Artë, duke deklaruar se e meritonte këtë çmim individual dhe se të paktën priste të ishte mes tre më të mirëve.
Në një intervistë për Sofascore, sulmuesi theksoi se çmimet individuale nuk duhet të bazohen vetëm në sukseset kolektive të skuadrës.
“Unë mendoj se trofetë individualë nuk duhet të bazohen te rezultatet kolektive. U ndjeva i trishtuar, prisja diçka më shumë. Të paktën prisja të isha në Top 3 të Topit të Artë”, u shpreh Raphinha.
Braziliani pranoi se shanset për ta fituar çmimin ishin të vogla, duke pasur parasysh ndikimin e madh që ka Liga e Kampionëve në këtë garë, por shtoi se pozicioni përfundimtar e kishte zhgënjyer.
“E di që shanset për të fituar ishin shumë të vogla, sepse Champions League ka ndikim të madh në këtë çmim. Pikërisht për këtë arsye renditja më zhgënjeu”, tha ai.
Deklaratat e Raphinhas kanë ngjallur reagime në botën e futbollit, duke rihapur debatin mbi kriteret e ndarjes së Topit të Artë dhe peshën e sukseseve ekipore ndaj performancave individuale.
Flaka
















