Juventus bën Yildiz prioritet: Oferta pesëvjeçare për talentin turk
Juventus ka vendosur që rinovimi i kontratës së Kenan Yildiz të jetë një nga prioritetet kryesore të klubit, ndërsa talenti turk po bëhet një nga emrat më të nxehtë në afatin kalimtar të ardhshëm.
Edhe pse sezoni është ende në zhvillim, drejtuesit bardhezinj po lëvizin herët për të siguruar që Yildiz të mbetet pjesë kyçe e projektit të ri sportiv në Torino. Klubi i ka ofruar një kontratë pesëvjeçare, me një pagë rreth 6 milionë euro në sezon, duke e pozicionuar mes lojtarëve më të paguar të skuadrës, pavarësisht moshës së re.
Mesazhi i Juventusit është i qartë: Yildiz konsiderohet yll i së tashmes dhe i së ardhmes. Megjithatë, rrethi i afërt i lojtarit kërkon kohë dhe qetësi për të marrë një vendim.
Interesi nga klubet e Ligës Premier është konkret dhe serioz, disa prej tyre të gatshme të ofrojnë kushte financiare shumë më të larta. La Liga mbetet gjithashtu një opsion i mundshëm, me disa klube të mëdha që vlerësojnë profilin kreativ dhe potencialin e mesfushorit turk.
Situata vendos Yildiz në një pozicion force: ai ka besimin e Juventusit, rol të rëndësishëm në skuadër dhe mundësi të shumta alternative. Për lojtarin, vendimi nuk lidhet vetëm me pagën, por edhe me zhvillimin sportiv dhe stabilitetin.
Javët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e një prej talenteve më premtuese të futbollit evropian.
Flaka
















