A ndihmon kafeja me limon në dobësim? Ja e vërteta
Për shumë njerëz kafeja është pjesë e pandashme e mëngjesit, ndërsa limoni njihet si një burim i pasur me vitaminë C dhe antioksidantë. Kohët e fundit, kombinimi i kafesë me limon është bërë mjaft i diskutuar për shkak të pretendimeve për përfitime shëndetësore.
Një nga pretendimet më të përhapura është se kjo përzierje ndihmon në shkrirjen e dhjamit. Megjithatë, shkenca nuk e mbështet këtë ide. As kafeja dhe as limoni nuk mund të djegin yndyrën në mënyrë direkte. Humbja e peshës lidhet kryesisht me ekuilibrin mes kalorive të marra dhe energjisë së shpenzuar.
Sa i përket dhimbjeve të kokës, kafeina mund të ketë ndikim në disa raste, pasi mund të ndikojë në enët e gjakut dhe të përforcojë efektin e disa ilaçeve kundër dhimbjes. Por efekti lidhet më shumë me kafeinën sesa me kombinimin me limon.
Për lëkurën, kafeja dhe limoni përmbajnë antioksidantë që mund të kenë disa përfitime, por nuk ka prova se pirja e tyre së bashku sjell rezultate më të mëdha sesa konsumimi i tyre veçmas.
Pra, kafeja me limon mund të jetë një zgjedhje interesante për shijen, por shumë nga pretendimet rreth saj mbeten më shumë mite sesa fakte të vërtetuara shkencërisht.
Flaka
















