Agjenti i Enzo Fernández: Dënimi nga Chelsea është i padrejtë
Tensionet vazhdojnë te Chelsea pas pezullimit të Enzo Fernández, ndërsa tani ka reaguar edhe agjenti i tij.
Javier Pastore, i cili përfaqëson mesfushorin argjentinas, e ka cilësuar vendimin e klubit si “plotësisht të padrejtë”.
Në një deklaratë për mediat, ai theksoi se Enzo nuk ka përmendur asnjë klub tjetër dhe nuk ka shprehur dëshirë për t’u larguar nga Londra.
“Enzo nuk e kuptoi këtë situatë. Kur trajneri i komunikoi vendimin, ai e pranoi si profesionist, por ne nuk e kuptojmë këtë ndëshkim. Ai nuk ka përmendur asnjë klub dhe nuk ka thënë se dëshiron të largohet nga Chelsea”, u shpreh Pastore.
Ai sqaroi gjithashtu se deklarata për Madridin ishte keqinterpretuar.
“Enzo thjesht u pyet se në cilin qytet evropian do të dëshironte të jetonte një ditë. Ai përmendi Madridin për shkak të gjuhës dhe kulturës, që është e ngjashme me Buenos Aires. Në asnjë moment nuk ka thënë se dëshiron të largohet nga Chelsea”, shtoi ai.
Në fund, agjenti bëri të ditur se lojtari është i gatshëm të kërkojë falje nëse ndonjë tifoz është ndjerë i fyer, duke theksuar se gjithçka ka qenë rezultat i interpretimit të mediave.
Flaka












